IDE, 25 Qershor 2026, 16:53

Mos ia falni Ramës fitoren që kërkon, dosjet e SPAK dhe jo flamingoja, janë arma e kësaj beteje

Mos ia falni Ramës fitoren që kërkon, dosjet e SPAK dhe jo

Ka një paradoks që po përsëritet prej javësh dhe që thotë shumë më tepër për mënyrën se si po zhvillohet beteja politike sesa për vetë Edi Ramën.

Kur SPAK publikoi dy nga dosjet më të forta të 30 viteve të fundit, ato të Arubës dhe Gjirit të Lalzit, ku për herë të parë u vizatua me emra, role dhe mekanizma mënyra se si paratë e trafikut të drogës u injektuan në ndërtimin në Shqipëri, si krimi i organizuar, biznesi dhe pushteti ndërtuan së bashku ekonominë e betonit, pritej që kjo të bëhej boshti i betejës politike. Ishte ndoshta goditja më e fortë me fakte që i jepej modelit të qeverisjes së Edi Ramës.

Por nuk ndodhi.

Në vend që partitë opozitare të pranishme në protestë, opinionistët, blogerët dhe mediat që e mbështetën atë ta kthenin këtë moment në një ofensivë të pandërprerë politike kundër qeverisë, vëmendja u zhvendos te elementët estetikë dhe komunikativë të protestës. Halli u bë cila meme ishte më e goditura, kush e kishte bërë postimin më viral, kush blogere e kishte plakur Ramën me postimet e veta, kush e mbështeste dhe kush po e provokonte atë. Ndërsa ditët kalonin, dosjet e Arubës dhe Gjirit të Lalzit, që duhej të ishin në qendër të debatit publik dhe të aksionit opozitar, kaluan pothuajse në heshtje.

Edhe organizatorët e protestës humbën një pjesë të këtij momenti. Në vend që të shfrytëzonin tronditjen e krijuar nga dosjet, pjesmarrjen masive dhe mllefin qytetar ndaj qeverisë për të ndërtuar një platformë politike të qartë, një grup përfaqësues të identifikuar dhe një strategji se si do t’ia impononin kërkesat qeverisë, energjia u konsumua për ditë të tëra me një refren të vetëm: “Mos bini pre e provokimeve”. Një thirrje e kuptueshme, por që nuk mund të bëhej boshti i një lëvizjeje me mijëra njerëz. Në çdo protestë të madhe provokime do të ketë. Do të ketë dhe sulme ndaj organizatorëve të identifikuar se nuk jemi në Suedi. Ato nuk shmangen me apel moral, por me organizim, përgjegjësi dhe drejtim politik.

Tani debati ka bërë edhe një hap tjetër larg thelbit. Mjaftoi që Edi Rama të vendoste një flamingo në fotografinë e profilit dhe vëmendja u zhvendos sërish: “Na vodhi simbolin e revolucionit.”

Në të vërtetë, kjo është pikërisht fusha ku Rama ka qenë gjithmonë më i fortë. Është kurthi i preferuar i piktorit për kundërshtarët e tij: fasada. Ai ka pasur gjithmonë aftësinë të përvetësojë simbolet, sloganet dhe narrativat e kundërshtarëve, t’i zbrazë nga kuptimi i tyre fillestar dhe t’i rikthejë në funksion të propagandës së vet. Ta sfidosh në këtë terren do të thotë të pranosh të luash lojën që ai njeh shumë mirë. Dhe që nuk paraqet asnjë interes të çështjes më të rëndësishme për trajtim. 

Pyetja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e dhimbshme. Nëse Edi Rama nuk u mposht ditën kur mijëra qytetarë rrethuan Kryeministrinë, kur pesha e numrave dhe e forcës ishte në krahun e protestës është e kotë të besohet se do të mposhtet me beteja për meme, blogere apo foto profili.

Por kjo nuk do të thotë se beteja ka humbur. Përkundrazi. Dosjet e SPAK mbeten argumenti më i fortë politik që është prodhuar ndonjëherë kundër modelit të qeverisjes së Edi Ramës. Ato nuk kanë nevojë për më shumë simbolikë, por për më shumë politikë. Nuk kanë nevojë për debat se kujt i përket flamingoja, por për një alternativë që t’u japë qytetarëve besimin se ky sistem mund të sfidohet realisht.

Protesta e ka ende këtë mundësi. Të dalë nga kurthi i memeve, simboleve dhe provokimeve dhe të rikthehet te thelbi. Të flasë për dosjet e SPAK, për lidhjen mes krimit të organizuar, parasë së drogës dhe pushtetit, për ekonominë e betonit dhe për modelin e kapjes së shtetit që ato dosje nxjerrin në dritë. Sepse revolucioni nuk fitohet duke ruajtur flamingon nga Edi Rama. Fitohet duke e detyruar atë të përballet me atë që nuk mund ta përvetësojë dhe as ta relativizojë: faktet.

Mos ia falni Ramës fitoren që kërkon, dosjet e SPAK dhe jo