TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hajrije Taushani, 79 vjeçe, me origjinë nga Elbasani, është një prej pesë shtetasve shqiptarë të riatdhesuar nga Siria, të cilët mbërritën pas mesnatës në Tiranë.
Historia e saj në Siri nisi më shumë se një dekadë më parë. Djali i saj, Sherif Taushani, ishte larguar drejt Sirisë për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it dhe humbi jetën gjatë konfliktit në maj të vitit 2014, në moshën 35-vjeçare.
Pas humbjes së të birit, Hajrije Taushani udhëtoi drejt Sirisë për të marrë dhe për t’u kujdesur për nipërit e saj. Por ajo mbeti atje për 12 vite me radhë.
Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, 79-vjeçarja përfundoi në kampin Al-Hol, ku jetoi në kushte të vështira. Gjatë qëndrimit atje ajo vijoi të kujdesej për fëmijë të mitur, mes tyre edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj. Pas më shumë se një dekade, 79-vjeçarja kthehet në atdhe dhe bashkë me të është riatdhesuar edhe mbesa e saj 17-vjeçare.
Sherif Taushani kishte ikur drejt Sirisë në shtator 2013 dhe kishte marrë me vete edhe familjen.
Aktualisht në Siri dyshohet se janë edhe 17 shqiptarë të tjerë të cilët kanë qenë në kampet siriane, gra dhe fëmijë, kryesisht jetimë, si dhe 10 burra të tjerë shqiptarë në burgje dhe një pjesë tjetër të cilëve nuk u dihet fati. Ministria e Jashtme thotë se Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë procesin për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Siri.
Operacioni i fundit i riatdhesimit ishte ai i Eva Dumanit më 14 shkurt, e cila mundi të bashkohet me nënën dhe vëllain në Tiranë, 12 vite pasi u rrëmbye nga babai i saj xhihadist.