TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Punonjësit e administratës publike do të kenë mundësi të aplikojnë për kredi me 0% interes për blerjen e një banese. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka hapur thirrjen për përfitimin e 300 kredive të lehtësuara.
Aplikimet do të hapen më 27 gusht 2026 dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026. Procedura do të kryhet online përmes platformës e-Albania.
Skema është e ndarë mes pesë institucioneve, të cilave u janë përcaktuar kuota të ndryshme. Konkretisht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nga 70 kuota secila, ndërsa Policia e Burgjeve/Ministria e Drejtësisë ka 20 kuota.
Vlera e financimit do të përcaktohet në bazë të çmimit të referencës dhe sipërfaqes së banesës, sipas të dhënave të certifikatës familjare.
Kush mund të përfitojë?
Për të përfituar nga kredia e lehtësuar, aplikantët duhet të plotësojnë disa kushte. Ndër kriteret kryesore janë të qenit i punësuar në administratën publike, në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për strehimin social”.
Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të ketë banesë në pronësi apo në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa ekzistuese është nën normat e strehimit.
Një tjetër kriter lidhet me pasuritë e tjera. Aplikanti nuk duhet të zotërojë pasuri të paluajtshme ose të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synon të blejë përmes kredisë së lehtësuar.
Përfituesit duhet gjithashtu të mos kenë marrë më parë mbështetje përmes programeve të tjera të strehimit social.
Thirrja synon t’u krijojë 300 punonjësve të administratës publike mundësinë për të siguruar banesë përmes një kredie pa interes, me aplikimin që do të kryhet tërësisht online.