TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këtë të hënë u zhvillua protesta e 87-të në Tiranë, e organizuar nga aktivistë dhe qytetarë, të cilët kërkuan ndryshime politike dhe largimin e qeverisë.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama, jepe dorëheqjen”. Protestuesit u ndalën përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan me thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama.
Krenar Ahmeti: Ejani në shesh
Ish-oficeri i Policisë, Krenar Ahmeti, mori fjalën gjatë protestës dhe u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në tubime.
“Ka vetëm një zgjidhje. Burra, gra, fëmijë, i madh edhe i vogël, pensionistë, punëtorë, të papunë, ejani në shesh. Nëse doni që ta zhdukim këtë klikë që ia ka pirë gjakun mbi 36 vjet këtij vendi. Vendin mos e lëshoni”, tha ai.
Gjatë protestës u njoftua gjithashtu nisja zyrtare e mbledhjes së nënshkrimeve për një referendum që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura.
Një aktiviste deklaroi se nisma është ndërmarrë nga një grup prej 12 qytetarësh dhe synon që çështja të ndiqet përmes një rruge ligjore dhe demokratike.
“Zyrtarisht kemi filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për referendumin për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura 21/2024. T’i bashkohemi të gjithë për ta shfuqizuar në rrugë ligjore dhe demokratike”, tha ajo.
Susaj: Korrupsioni të shpallet tradhti kombëtare
Profesori Lush Susaj u bëri thirrje qytetarëve të ngrihen për largimin e qeverisë dhe klasës politike, të cilën e cilësoi si “prostitucioni politik shqiptar”.
Ai kërkoi gjithashtu që korrupsioni të shpallet tradhti kombëtare dhe personat e korruptuar të cilësohen tradhtarë të kombit.
Në protestë foli edhe një emigrant nga SHBA, i cili iu drejtua të rinjve që duan të angazhohen në politikë, duke u bërë thirrje të mos heqin dorë nga ambicia e tyre.
“Dua t’u drejtohem të rinjve, sidomos atyre që kanë ambicia politike. Mos kini turp nga ambicia juaj, ushqejeni. Shqipëria ka nevojë për njerëz të rinj që ëndërrojnë të bëhen deputetë, ministra, kryeministra, politikanë, por jo vetëm për të marrë një post deputeti. Ambicia juaj duhet të jetë më e madhe sesa posti”, tha ai.
Kola: Diaspora është me ne
Aktivisti Arben Kola u ndal te pjesëmarrja e diasporës shqiptare në protestë, duke e cilësuar atë si një mbështetje të rëndësishme për tubimet.
“Kemi 87 netë vetëdije qytetare, 87 netë vetëdije kombëtare. Kjo protestë kaq e bukur nuk do të ishte e mundur pa pjesëmarrjen e mërgatës sonë, e cila këtë verë ka vendosur që të mos bëjë pushime, por të protestojë deri në rrëzimin e Ramoviçit. Diaspora është me ne!”, tha Kola.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Marshimi vijoi në të njëjtën formë si në netët e mëparshme të protestës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike.