TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një shqiptar i Kosovës, Ardit Kutleshi, ka pranuar fajësinë në Shtetet e Bashkuara për akuzat që lidhen me krijimin dhe drejtimin e “Rydox”, një faqe dhe treg online të paligjshëm, ku kriminelët kibernetikë blinin dhe shisnin të dhëna personale të vjedhura, si dhe mjete për kryerjen e mashtrimeve dhe krimeve në internet.
Sipas dokumenteve të gjykatës, “Rydox” ishte aktiv të paktën që prej vitit 2016 dhe përmes platformës u kryen më shumë se 7600 transaksione me informacione personale identifikuese, të dhëna, mjete identifikimi dhe shërbime të lidhura me krimin kibernetik. Të ardhurat nga këto aktivitete arritën në të paktën 232 mijë dollarë.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se një pjesë e të dhënave të shitura në platformë ishin vjedhur nga persona në Shtetet e Bashkuara. Sipas FBI, në “Rydox” ofroheshin për shitje edhe identitete dhe kredenciale hyrjeje të mijëra personave.
Kutleshi, 28 vjeç, u arrestua nga autoritetet e Kosovës në dhjetor 2024 dhe u ekstradua drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2025. Në të njëjtin muaj, autoritetet amerikane sekuestruan domenin “Rydox.cc”, duke penguar vijimin e përdorimit të faqes për shitjen e të dhënave personale dhe mjeteve të krimit kibernetik.
Kutleshi u deklarua fajtor në Gjykatën Federale për Distriktin Perëndimor të Pensilvanisë për akuzat e vjedhjes së rënduar të identitetit dhe komplotit për pastrim parash. Ai pritet të dalë para gjykatës për caktimin e dënimit më 9 shkurt 2027. Për akuzën e vjedhjes së rënduar të identitetit përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vitesh burg, ndërsa për komplotin për pastrim parash dënimi maksimal mund të jetë deri në 20 vjet burg.
Hetimi u zhvillua nga FBI në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, SPAK-un në Shqipëri, si dhe autoritetet policore dhe të drejtësisë në Malajzi.
Vëllai i tij, Jetmir Kutleshi, kishte pranuar më herët fajësinë dhe ishte dënuar në dhjetor 2025, përpara deportimit të tij drejt Kosovës.