AKTUALITET, 24 September 2026, 22:13

Shehaj takim në Degën 5: Mundësia do të jetë në çdo Këshill Bashkiak. Koha për një frymë te re dhe një Shqipëri të drejtë

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj po vijon punën përgatitore për zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2027, prej të cilave shprehet se forca e tij politike do dalë fitimtare me kandidatët e saj në çdo Këshill Bashkiak në të gjithë Shqipërinë.

Ai ka ndarë pamjet nga takimi me strukturat e partisë në Degën 5 në kryeqytet, pranë deputetit Erald Kapri dhe Sekretares së Përgjithshme Barbara Doda.

Sipas Shehajt, me praninë e përfaqësuesve të Partisë Mundësia në çdo Këshill Bashkiak, do të vijë koha e një fryme të re për një Shqipëri më të drejtë.

"Partia Mundësia do jetë në çdo Këshill Bashkiak. Koha për një frymë të re, për një Shqipëri të drejtë, një Shqipëri me mundësi"-, shprehet Shehaj.

"Të dashur miq, jemi këtu me Luisin, koordinatorin e degës 5 të Tiranës dhe Partisë Mundësia, dhe me anëtarët e Partisë Mundësia të degës 5.
Jemi parti e re, por jo parti e vogël. Jemi mbledhur këtu për të diskutuar dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet për Këshillin Bashkiak në Tiranë dhe jo vetëm. 

Dhe shumë shpejt anëtarët e Partisë Mundësia, përfaqësuesit e Partisë Mundësia dhe të votuesve tanë, do të jenë në çdo Këshill Bashkiak të të gjithë Shqipërisë"-, shprehet Shehaj.

Sipas Shejajt, takimet "do të vazhdojnë në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë". 

Kreu i Mundësia, Shehaj, i përjashtuar me 60 ditë nga Kuvendi, zbulon se tashmë energjitë e tij ia ka përkushtuar përgatitjes për lokalet e 2027-ës, për shkak "të pushimeve të detyruara".

"Meqë unë, si kryetari i Partisë Mundësia, nuk mund të jem deputet dhe më kanë çuar me pushime të detyruara, po i kthej këto pushime tani në takime me strukturat e Partisë Mundësia. 

Edi Rama, faleminderit! Taulant, faleminderit! Manja, faleminderit!"-, shprehet Shehaj.