AKTUALITET, 25 September 2026, 09:22

Ngjarja e rëndë në Itali, shqiptari gjendet i vdekur në kantier! 51-vjeçari dyshohet se ra në hapësirën e ashensorit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Padova të Italisë, ku një 51-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i pajetë në një kantier ndërtimi, ku po kryheshin punime rinovimi.

Viktima është identifikuar si Altin Kokici, pronar i një kompanie për ndërtime muresh në Sossano, në provincën e Vicencës.

Sipas mediave italiane, 51-vjeçari dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit në godinë, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Trupi i tij u gjet gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, pasi familjarët kishin dhënë alarmin për zhdukjen e tij. Ata kishin vënë re se burri nuk ishte dëgjuar që prej orëve të pasdites dhe, përmes vendndodhjes së telefonit, kishin konstatuar se ai vijonte të ishte në zonën e kantierit.

Furgoni i 51-vjeçarit ishte parkuar pranë ndërtesës, me bagazhin ende të hapur, çka shtoi shqetësimin e familjarëve.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët e Shtabit të Policisë së Padovës hynë në godinë dhe tentuan të kontaktonin me telefon viktimën. Sinjali i celularit i çoi ata drejt hapësirës së ashensorit, ku gjetën trupin e pajetë të shqiptarit.

Në vendngjarje mbërritën gjithashtu ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident në kantier.