AKTUALITET, 30 October 2026, 17:09

Dosja “Revanshi”/ U ekstradua nga Gjermania, GJKKO lë në burg Ardit Gjokrosën! Siguroi kushtet për atentatin ndaj Hamza Terziut

Dosja “Revanshi”/ U ekstradua nga Gjermania, GJKKO lë në

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ardit Gjokrosën, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Gjermania.

Gjokrosa ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi” dhe akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e Hamza Terziut, ngjarje e ndodhur në vitin 2020.

Ai dyshohet gjithashtu se është pjesë e grupit të drejtuar nga Tori Xheçuka, ndërsa përveç kësaj përballet edhe me akuzat për “Grup të strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Me vendimin e GJKKO-së, Gjokrosa do të qëndrojë në burg, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë nga SPAK.

Njoftimi i plotë:

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 29.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, e caktuar me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Ardit Gjokrosa.”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 78, datë 30.10.2026, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj të pandehurit: Ardit Gjokrosa, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit H.T, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të struktruar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të K.Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 2-të i K.Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i K.Penal.

2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që i pandehuri Ardit Gjokrosa, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.

3. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.