TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Po vijon seanca në GJKKO ndaj Laert Haxhiut, ndërkohë që në seancë ka dëshmuar Sami Bashaliu për vrasjen e kushëririt të tij, Albi Bashaliut, i cili u vra më 27 dhjetor të vitit 2021 në Peqin.
Para trupit gjykues, Sami Bashaliu ka treguar dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Gjocaj, ku sipas tij një automjet tip “Audi” i bardhë me xhama të errët iu afrua lokalit të tij në orët e mëngjesit. Sipas tij, nga makina ka zbritur një person i maskuar, i cili, pas një komunikimi të shkurtër me viktimën, e qëlloi disa herë me armë zjarri.
Sipas dëshmisë, në automjetin e autorëve ndodheshin dy persona, por vetëm njëri prej tyre kreu sulmin ndaj Albi Bashaliut. Pasi viktima ra në tokë, atentatorët i vunë flakën automjetit të tij përpara se të largoheshin.
“Pranë lokalit tim ka ndodhur një vrasje para 3-4 vitesh, përpara Vitit të Ri. Unë kam një biznes të vogël përpara shtëpisë në fshatin Gjocaj të Peqinit. Atë ditë binte shi në mëngjes. Ishte një automjet aty me xhama të errët, ishte me targa shqiptare, tip Audi, ngjyrë e bardhë. Më thotë gruaja që është një makinë aty, unë u afrova, por nuk pashë njerëz. Pas pak, njëri nga personat që zbriti nga makina i flet Albi Bashaliut, pastaj kërciti arma. Nuk e kisha parë ndonjëherë si fytyrë, në fakt ishte me maskë. Ai gjuajti 2-3 herë, ata djemtë që ishin ulur në lokal u trembën. U ngritën nga lokali dhe ikën. Ishin dy persona në automjet, por vetëm njëri prej tyre gjuajti. Ky Albi ra në tokë, pastaj ata futën armën dhe dogjën automjetin e viktimës. Unë u futa brenda, vetëm shikoja, nuk bëra gjë. Albi nuk vinte te lokali ynë kohët e fundit, që kur u vra vëllai i vet. Nuk dija gjë për të kaluarën e tij. Albit i vranë vëllanë, Leonardin, ai rrinte më shumë në Itali. Alberti Xhahysa, më duket se e patë vrarë, ashtu u mor vesh aty, domethënë. Unë nuk di gjë”, është shprehur ai.
Paraqitet dëshmitari tjetër, Sami Bashaliu, i cili dëshmon për vrasjen e Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit në dhjetor 2021.
Prokurori: A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë vrasje pranë lokalit tuaj?
Sami Bashaliu: Nja dy ose tri ditë para Vitit të Ri. Ka kohë që ka ndodhur.
Ndërhyn Gjykata me pyetje: Na trego detaje, të lutem.
Dëshmitari: Ishte një makinë e bukur. Dola, pashë rreth e qark, por nuk pashë gjë. U futa brenda, ndeza sobën dhe prisja klientët që vinin për kafe. I ndjeri Bashaliu hyri për të pirë kafe dhe, në momentin që doli, dikush i foli. Bashaliu ktheu kokën dhe u dëgjua zhurma e armës. Ai djali ishte i gjatë, i hollë dhe e kishte mbuluar kokën me maskë. E qëlloi. Djemtë që ishin në lokal u trembën dhe ikën. Ishte një person që qëlloi, por ishin dy persona gjithsej; tjetri qëndroi në makinë.
Gjykata: Na trego më shumë, të lutem. Çfarë mban mend?
Dëshmitari: Ai doli, i foli Bashaliut dhe e qëlloi. Ai që e qëlloi qëndroi aty. Bashaliu ra në tokë. Mua më bënë me dorë të futesha brenda: “Futu brenda, futu brenda”. Nuk bëra zë. I mori çelësat, ndërsa telefonin ia la në vend, nuk e preku. Pastaj ai tjetri i vuri flakën makinës me benzinë dhe u larguan. E keni parasysh, shteti bëri punën e vet.
Prokurori: Mos bëj kështu au-iu. A u mor vesh kush i vrau këta njerëz? Po për tjetrin, a u mor vesh kush e vrau Leonard Bashaliun?
Dëshmitari: …
Prokurori: Po Artan Tafani, ose ndryshe Marius Tafani, a ke dëgjuar?
Dëshmitari: Jo.
Prokurori: Po për Lulezim Spahinë? Po për Laert Haxhiun?
Dëshmitari: Jo, jo, jo. Nuk kam dëgjuar gjë.
Prokurori: Kur e ka frekuentuar për herë të fundit i ndjeri Albi Bashaliu lokalin?
Dëshmitari: Një natë më parë. Të nesërmen ndodhi ngjarja. Ka qenë rreth orës 19:00, mbase.
Prokurori: E përcolle ti nga lokali?
Dëshmitari: Jo. Pse duhet ta përcillja? Ishte rreth orës 23:00, diçka e tillë.
Prokurori: A i njihje personat me të cilët rrinte?
Dëshmitari: Ka ndenjur me njerëzit e fisit tonë, sepse jemi fis i madh.
Prokurori: Pas ndodhjes së ngjarjes, a vinte më në lokal ky Henriko Xhahysa?
Dëshmitari: Jo.
Avokati Detar Hysi: Ju shkuat në varrimin e të ndjerit?
Dëshmitari: Po, vajta.
Avokati: Po sot, si janë marrëdhëniet?
Dëshmitari: Shumë të mira.
Gjykata: Me përshkrimin fizik të dy personave, a mbani mend ndonjë karakteristikë të tyre? A i mbani mend këta persona?
Dëshmitari: Kanë qenë dy persona. Ai që bëri vrasjen ishte i gjatë dhe i hollë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër. Ata kishin kapele dhe maska Covid-i.
Gjykata: Ndonjë element të veçantë?
Dëshmitari: Jo, nuk pashë gjë tjetër.
Gjykata: Prokuror, a keni pyetje tjetër?
Prokurori: Nëse do të të jepej rasti t’i shikoje këta persona, sipas përshkrimit që bëre, të gjatin dhe të hollin, a do të ishe në gjendje t’i përshkruaje? A do të thoshe dot: “Ky person ka qëlluar me armë”?
Dëshmitari: Vallahi, nuk e përcaktoj dot.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek gjyqin, paraqitet dëshmitari tjetër, Veiz Bashaliu, i cili dëshmon për të njëjtën vrasje, atë të Albi Bashaliut.
Prokurori: Zoti Veiz, do të dëshironim një shpjegim tuajin për vrasjen e Albi Bashaliut në dhjetor të vitit 2021. Do të dëshironim të dinim ku ndodheshit atë ditë?
Ndërhyn Gjykata: Dëshmitar, na rrëfe çfarë mban mend.
Dëshmitari: Ishte mëngjes dhe ne ishim duke pirë kafe kur dëgjuam krisma. Ishte një person me kapele, ndërsa ai me maskë ishte pranë viktimës. Unë u tremba dhe ika.
Gjykata: Prokuror, ke pyetje?
Dëshmitari: Me Samiun dhe Mikelin. Ka qenë lokali plot, sepse ishte mëngjes.
Prokurori: Kush iu afrua dhe e qëlloi i pari?
Dëshmitari: Nuk e di.
Prokurori: A tha ndonjë person që dikush ishte me armë, apo dikush po shtynte dikë? Ti thua se u trembët, por si u trembët?
Dëshmitari: Po çfarë të bëja? Normale që u tremba. Pse, si të duket ty?
Prokurori: Po si u trembe ti?
Dëshmitari: Jo vetëm që u tremba, por ika me vrap nga ullishta dhe shkova te nusja e xhaxhait.
Prokurori: Po u qetësove pastaj?
Dëshmitari: U thashë atyre aty: “Kështu dhe kështu ndodhi.”
Prokurori: A pate rast të shihje makinën apo ndonjë gjë tjetër?
Dëshmitari: Kur u ktheva nga nusja e xhaxhait, pashë makinën që po digjej.
Prokurori: Çfarë ishte kjo makinë që po digjej?
Dëshmitari: Makinë pra.
Prokurori: Kush e dogji këtë makinë?
Dëshmitari: Ku di gjë unë.
Prokurori: A harrove gjë?
Dëshmitari: Jo, nuk harrova gjë.
Paraqitet dëshmitari tjetër, Mikel Xhaja, i cili ishte arrestuar pas ngjarjes së bashku me Veiz Bashaliun, nën akuzën e prishjes së provave në lidhje me vrasjen e Albi Bashaliut.
Prokurori: Zoti Mikel, a e keni njohur Albi Bashaliun, të ndjerin, prej kaq kohësh?
Mikel Xhaja: Po, e kam bashkëfshatar. E kam njohur normalisht, si gjithë të tjerët.
Prokurori: Si normalisht, si gjithë të tjerët?
Dëshmitari: Si gjithë të tjerët, pra në fshat.
Prokurori: Po Henriko Xhahysën?
Dëshmitari: Normalisht, si bashkëfshatar edhe atë.
Prokurori: Ky bashkëfshatar ka vrarë dikë?
Dëshmitari: Po, ka vrarë një Ylber Xhahysa.
Prokurori: Kur e ka vrarë, në kohën e Enverit apo të demokracisë?
Dëshmitari: Nuk e di.
Prokurori: Po nga e di që ka ndodhur?
Dëshmitari: Sepse jam në fshat. Përveç kësaj, kam qenë jashtë vendit.
Prokurori: Kur ke qenë jashtë vendit ti?
Dëshmitari: Kur ka ndodhur kjo vrasje, pra nuk kam qenë në Shqipëri.
Prokurori: Po kur është vrarë Albi Bashaliu, ku ke qenë?
Dëshmitari: Në Shqipëri.
Prokurori: Ku u ndodhët kur u mor vesh vrasja e Albi Bashaliut? Në çfarë ore të ditës e more vesh?
Dëshmitari: Paradite isha në fshat, isha duke pirë kafe.
Prokurori: Sa kafe ka fshati?
Dëshmitari: Mbase dy.
Prokurori: Pra, po fillon të flasësh, po të kujtohen?
Avokati: Prokuror, bëje pyetjen drejtpërdrejt. Pyete nëse ka qenë në vendngjarje.
Ndërhyn Gjykata: Je i lutur të na tregosh çfarë pe.
Dëshmitari: E vranë me armë zjarri. Nuk i njoha. Ata ishin me kapele dhe maska.
Gjykata: Vetëm një person ishte?
Dëshmitari: Ishin dy persona. I dyti ishte në distancë.