AKTUALITET, 18 September 2026, 16:05

Gjykatësit refuzojnë tryezën me qeverinë, paralajmërojnë Kushtetuesen për ligjin e ri

Shoqatat përfaqësuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë vendosur të mos marrin pjesë në tryezën e propozuar me qeverinë, duke deklaruar se do ta vijojnë betejën përmes Gjykatës Kushtetuese. 

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Kushtetueses me kërkesë për pezullimin e zbatimit dhe shfuqizimin e ligjit të ri për pagat e magjistratëve. 

Në deklaratën e përbashkët, shoqatat kundërshtojnë mënyrën se si është ndjekur procedura për ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Sipas tyre, projektligji është miratuar përtej afatit kushtetues, pa një analizë financiare nga Këshilli i Ministrave dhe pa një konsultim efektiv me grupet e interesit. 

Shoqatat argumentojnë se ndryshimet prekin statusin financiar të magjistratëve dhe, sipas qëndrimit të tyre, lidhen drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Ata kërkojnë gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi nga Gjykata Kushtetuese. 

Përplasja për pagat e magjistratëve është shoqëruar prej ditësh me tensione. Më 10 shtator, gjyqtarët kërkuan zhbllokimin e pagave dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar përshkallëzim të masave në rast të mosveprimit.