TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, pasi gjykata në Amiens rrëzoi kërkesën e tij për lirim. Vendimi u shpall të premten, më 23 tetor 2026, tri ditë pasi Dhoma e Hetimit kishte shqyrtuar kërkesën e tij për të dalë nga burgu.
Beqiri, i cili banon në një pronë të njohur si Château d’Auteuil, në Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise të Francës, kundërshton ekstradimin drejt Shqipërisë.
SPAK dyshon se ai është një nga personat që kanë organizuar një rrjet të dyshuar për përfitimin e tenderëve publikë në fushën e teknologjisë së informacionit, përmes shtrembërimit të konkurrencës dhe përdorimit të intimidimit.
Në gusht, Dhoma e Hetimit kishte kërkuar informacion shtesë përpara se të merrte një vendim mbi kërkesën për ekstradim. Në seancën e zhvilluar të premten, gjykata shqyrtoi çështjen në themel, pasi autoritetet shqiptare kishin përcjellë dokumente shtesë përmes kanaleve zyrtare.
Gjatë seancës gjyqësore, Ermal Beqiri vuri në dyshim besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke pretenduar se çështja ndaj tij ka sfond politik.
“Nëse kam korruptuar dikë, atëherë është shteti. Por nga ajo anë, askush nuk është në burg. Ka gjithsesi një problem”, u shpreh biznesmeni shqiptar, sipas deklaratave të publikuara nga media franceze.
Ai pretendoi gjithashtu se çështja ndaj tij është “tërësisht politike”.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Amiens mbështeti kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Përfaqësuesja e akuzës argumentoi se gjykatës franceze nuk i takon të japë një vlerësim të përgjithshëm mbi sistemin gjyqësor shqiptar, por të shqyrtojë kërkesën për ekstradim dhe dokumentacionin e paraqitur nga autoritetet.
Gjatë seancës, ajo iu referua gjithashtu hetimeve kundër korrupsionit në Shqipëri, duke e përshkruar situatën si një proces të gjerë pastrimi të sistemit.
Për momentin, Ermal Beqiri do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Francë, ndërsa çështja e ekstradimit drejt Shqipërisë mbetet në duart e autoriteteve gjyqësore franceze.