TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestave në Tiranë do të përballen me pasoja, ndërsa ata që, sipas tij, kanë nxitur dhe propaganduar dhunën do të mbajnë përgjegjësi financiare.
Gjatë një konference për mediat, kreu i qeverisë deklaroi se personat që kanë kryer drejtpërdrejt akte dhune do të përgjigjen penalisht, ndërsa frymëzuesit dhe propaganduesit e saj do të përballen me pasoja financiare.
Rama i cilësoi protestat e dhunshme në kryeqytet si “terror urban nga ANTIFA”, duke pretenduar se synimi i tyre ishte gjunjëzimi i shtetit dhe nxitja e përçarjes fetare në Shqipëri. Ai u shpreh se organizatorët e këtyre protestave i kanë bërë llogaritë gabim dhe paralajmëroi se reagimi i shtetit do të jetë i zgjatur dhe këmbëngulës.
Kryeministri theksoi gjithashtu se shqetësimet e qytetarëve lidhur me rritjen e kostos së jetesës mbeten në fokus të qeverisë, duke përsëritur gatishmërinë për dialog me ata që dëshirojnë të paraqesin kërkesat dhe propozimet e tyre.
“Nevoja e asaj pjesës së shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të Qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës, janë fokusi absolut i imi dhe i Qeverisë. Do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata që duan t’i artikulojnë këto nevoja dhe idetë e tyre sesi mund të afresohen këto nevoja. Ne do të prezantojmë dita ditës atë që është reflektimi ynë i përditshëm për këtë që po përpiqet të na thotë një pjesë e shoqërisë. Ndërkohë që të gjithë ata që i bëjnë jehonë dhunës, apo ushtrojnë dhunë, duhet të kuptojnë se aq sa ishte intensiv terrori urban, aq do të jetë e zgjatur dhe këmbëngulëse ajo që vjen nga ana e shtetit.
Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar. Kush mendon se duke u fshehur nën maskën e studentit mund të sjellë këtu terrorin urban të ANTIFA-s dhe të bëjë punën e atyre që e duan Shqipërinë të përçarë nga ana fetare dhe e duan të ndarë nga historia e saj e lavdishme e tolerancës e mirëkuptimit, duhet ta ketë të qartë që do të paguajë në të gjitha format, si penale për ushtruesit e drejtpërdrejtë të saj, ashtu edhe financiare për hymnizuesit dhe propaganduesit e saj”, tha mes të tjerash Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur vijojnë debatet për protestat në kryeqytet, përdorimin e dhunës dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë në incidentet e regjistruara.