AKTUALITET, 24 October 2026, 11:02

Protestat në Shqipëri/ 12 eurodeputetë i drejtohen Kaja Kallas: Të hetohen veprimet e policisë ndaj protestuesve

Protestat në Shqipëri/ 12 eurodeputetë i drejtohen Kaja Kallas:

12 eurodeputetë të Parlamentit Evropian, kryesisht nga Partia Popullore Evropiane (PPE), i kanë drejtuar disa pyetje komisioneres Kaja Kallas lidhur me protestat në Shqipëri. Mes eurodeputetëve, të cilët janë pjesë e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, është edhe Fredi Beleri.

Ata kërkojnë sqarime lidhur me masat që do të ndërmerren për shqetësimet mbi përdorimin joproporcional të forcës nga policia, garancitë ligjore për personat e arrestuar dhe evidentimin e mangësive të autoriteteve ligjzbatuese, me qëllim parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.

Letra e plotë:

Me iniciativën e kreut të Delegacionit Austriak të PPE-së, Reinhold LOPATKA Demonstratat në Shqipëri kundër korrupsionit, kostove të arsimit dhe pakënaqësive socio-ekonomike janë përshkallëzuar, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me sjelljen e policisë.

Raportimet tregojnë se plumbat prej gome të qëlluar nga policia kanë plagosur protestues dhe gazetarë, ndërsa Avokati i Popullit në Shqipëri po heton domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga policia. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime lidhur me mungesën e garancive të përshtatshme për të miturit e ndaluar.

Deklarata e Komisionit e datës 18 tetor e dënoi me të drejtë dhunën dhe bëri thirrje për proporcionalitet, por nuk trajtoi në mënyrë të mjaftueshme çështjen e llogaridhënies. Të drejtat themelore dhe përgjegjësia për shkeljet e pretenduara duhet të mbeten në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çfarë masash do të ndërmarrë Përfaqësuesja e Lartë, përmes Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), për të:

1.Ngritur drejtpërdrejt këto akuza pranë autoriteteve shqiptare dhe për të kërkuar hetime të pavarura, të paanshme dhe efektive mbi përdorimin e forcës nga policia, pengimin e gazetarëve dhe shkeljet e të drejtave të personave të ndaluar, përfshirë përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve policore, me publikimin e rezultateve dhe marrjen e masave të duhura gjyqësore ose disiplinore në vijim?

2.Kërkuar garanci, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në Shqipëri dhe përmes monitorimit të pavarur, që të gjithë personat e ndaluar, veçanërisht të miturit, të përfitojnë nga garancitë ligjore të kërkuara nga legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut?

3.Siguruar që angazhimet në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht ato që lidhen me llogaridhënien e policisë dhe të drejtat themelore, të ndiqen në mënyrë të qartë aty ku vazhdojnë të evidentohen mangësi, duke përcaktuar angazhime të matshme për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme?