AKTUALITET, 29 Mars 2019, 20:02

Foto-Detaje/Kush është shqiptari që u masakrua në Spanjë

Një shqiptar u torturua barbarisht e më pas u gjet i vrarë me plumb në kokë në Spanjë. Viktima është identifikuar dhe bëhet fjalë për Ded Dokajn 44 vjeç nga Puka.

Ai kishte emigruar prej shumë vitesh dhe jetonte bashkë me familjen në Spanjë. Dokaj ishte i martuar, baba i dy fëmijëve, një vajze e një djali. Në profilin e tij në facebook, ai shpesh paraqiste foto të jetës së tij familjare.

Ngjarja

Burri shqiptar, raportojnë mediat vendase, punonte si truprojë në një lokal nate. Të mërkurën e 27 Marsit ai u gjet i pajetë brenda një automjeti në brigjet e lumit Guadalentin në Totana. Ekspertët mjeko-ligjor kanë konstatuar se para se të vritej me plumb në kokë, Dokaj është torturuar në mënyrë çnjerëzore.

“Viktimës i ishte prerë një gisht, një copë veshi dhe i ishin hequr të gjithë thonjtë.

Viktima është torturuar me orë të tëra, përpara se të vritej. Autoritetet dyshojnë se ai është vrarë në një ambient tjetër e më pas autorët e kanë tarnsportuar trupin e pajete pranë lumit, për të zhdukur gjurmët”, shkruajnë mediat vendase.

Shqiptari jetonte në Mazarron dhe kishte punuar më parë në klube nate dhe bare muzike, ndërsa kohët e fundit kishte filluar punë si truprojë në Marbella të Malagas.

Sipas mediave, dyshohet se ai është vrarë për prishje të pazareve të drogës, por nuk përjashtohet as pista e ndonjë konflikti në punë që më pas ka çuar në hakmarrje. Gjithsesi, policia dhe prokuroria vendase ende nuk kanë dhënë informacione zyrtare për autorët e dyshuar të krimit, apo shkaqet e sakta të vrasjes monstruoze.