AKTUALITET, 29 Mars 2019, 17:21

Në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit, ky është Klodian Bane (Foto)

Në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit, ky është Klodian

Personi që shikoni në foton e mëposhtme është Klodian Bane, i cili është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka ekzekutuar Jurgen Kurtin mbrëmjen e 18 marsit.

Emri i Klodian Banes doli nga dëshmia e Olsi Qalliajt, një nga tre të arrestuarit, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë në këtë krim.

22-vjeçari Olsi Qalliaj, lindur në Fier dhe banues në Patos deklaroi para autoriteteve se 4 ditë para ekzekutimit të Jurgen Kurtit, e takoi Klodian Banen dhe i mori çelësin për të fjetur në apartamentin e tij. Kjo dëshmi e ka orientuar policinë drejt dyshimeve të forta se është pikërisht ai personi që e qëlloi 26-vjeçarin, Jurgen Kurti.

Një ditë më parë Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre të rinjtë, Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos, të cilët akuzohen për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Ata ranë në prangat e policisë më datë 26 mars dhe rrëfyen mënyrën se si e ndoqën Kurtin, e njohur si menaxheri i VIP-ave dhe se si e ekzekutuan atë në bashkëpunim për shpërblimin prej 30 mijë eurosh.

Si u kordinuan autorët për vrasjen?

Pranë banesës së Kurtit dhe personi që e ndiqte në këmbë ka qenë 21-vjeçari, Elsi Levendi. Edhe momentin e vrasjes 21-vjeçari ka qenë i pranishëm në zonë dhe dyshohet se ai ka njoftuar ekzekutorët për mbërritjen e Kurtit pranë pallatit.

Pasi autorët kryen krimin ata janë larguar nga vendngjarja me një makinë tip “Benz” ngjyrë gri, që është në pronësi të Klodian Banes. Makina drejtohej nga Bane dhe rezulton me dokumentacion të rregullt, e regjistruar në Fier.

Për të shkuar tek të arrestuarit policia ka grumbulluar mbi 50 kamera sigurie nga liqeni deri tek ‘Pallati me Shigjeta’, nga ku ka zbuluar 4 të rinjtë dhe lidhja mes tyre. Armët, makinat dhe sendet e tjera të sekuestruara nga policia janë gjetur ne banesën e Alesio Berberit.

Jurgen Kurti, i njohur si menaxheri i VIP-ave, u vra pranë shtëpisë së tij në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”,në rrugën ‘Zef Jubani’.