AKTUALITET, 5 September 2026, 21:40

Florjan Binaj sfidon opozitën/ A do të garojë për Bashkinë e Tiranës? Ja si përgjigjet humoristi

Humoristi Florjan Binaj ka folur për angazhimin e tij politik dhe mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme, gjatë një interviste këtë të shtunë.

Ndërsa disa muaj më parë opozita u bashkua rreth emrit të Florian Binajt si kandidat për Bashkinë e Tiranës, duket se ai nuk gëzon më të njëjtën mbështetje nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike.

I pyetur nëse, në skenarin më të keq, do të garojë si kandidat i pavarur dhe do ta zhvillojë i vetëm këtë betejë, ndërsa në skenarin më të mirë do të jetë pjesë e një fronti të bashkuar opozitar, Binaj u përgjigj shkurt: “Po”.

Gazetarja këmbënguli për të kuptuar se mbi çfarë mbështetet kjo bindje e tij dhe çfarë e shtyn të mendojë për një angazhim të tillë politik.

Binaj tha se vendimi i tij lidhet me bindjen se ky është një kontribut që duhet ta japë kushdo që mendon se mund të ndikojë në përmirësimin e shoqërisë.

“Mendoj që kjo është gjëja e duhur që duhet të bëj, jo vetëm unë, por kushdo që ka një kontribut në shoqëri”, u shpreh ai.

Më tej, Binaj e bëri të qartë qëndrimin e tij, duke deklaruar se, me mbështetjen ose pa mbështetjen e opozitës, ai do të jetë një nga kandidatët për Bashkinë e Tiranës.