AKTUALITET, 5 September 2026, 18:16

“Mos na fshini nga harta!”/ Maliqi në protestë kundër bashkimit me Korçën, banorët sfidojnë deputetët

Banorët e Maliqit kanë dalë sërish në protestë kundër propozimit për riorganizimin territorial dhe bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.

Me pankarta dhe thirrje kundër ndryshimit të propozuar, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke argumentuar se shkrirja e bashkisë rrezikon të ardhmen dhe zhvillimin e zonës.

Banorët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që vendimmarrja të mos bëhet pa marrë në konsideratë qëndrimin e komunitetit. Ata u kanë bërë thirrje edhe deputetëve që të dalin publikisht dhe të mbajnë qëndrim përballë kësaj nisme.

Sipas protestuesve, Maliqi ka nevojë për më shumë investime dhe mbështetje, jo për humbjen e identitetit të tij administrativ.

Protesta vjen në një kohë kur debati për një ndarje të re territoriale ka rikthyer shqetësimet në disa bashki të vendit, ndërsa banorët e Maliqit paralajmërojnë se do të vijojnë të kundërshtojnë çdo vendim që, sipas tyre, merret pa konsultim me qytetarët.