AKTUALITET, 5 September 2026, 21:05

Begaj në 245-vjetorin e Teqesë së Frashërit: U bë vatër e ndërgjegjes shqiptare

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në 245-vjetorin e themelimit të Teqesë së Frashërit.

Para besimtarëve bektashinj, të cilët 5 shtatorin e kanë ditë pelegrinazhi, Presidenti Begaj nderoi vëllezërit Frashëri dhe kujtoi vlerat historike të kësaj teqeje për përhapjen e dijes, për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.

“Që nga viti 1781, kur ‘hodhi çatinë’ kjo teqe, ajo nuk shërbeu vetëm si vend lutjeje. Ajo u bë shtëpi e hapur për udhëtarin, vatër dijeje e kuvendimi dhe, mbi të gjitha, vatër e ndërgjegjes shqiptare”, deklaroi Presidenti në fjalën përshëndetëse.

Kreu i Shtetit kujtoi rolin e klerikëve bektashinj në momentet vendimtare për shqiptarët, nga Rilindja, deri në ndërtimin e  shtetit.

Duke u ndalur në filozofinë dhe frymën e besimit, Presidenti i Republikës theksoi kontributin e bektashinjve në bashkëjetesën fetare.

“Në ditët tona ne flasim shumë për harmoninë fetare, vërtet një vlerë e jashtëzakonshme, dhe shpesh rrezikojmë ta kthejmë atë në një formulë protokollare, por harmonia fetare shqiptare nuk lindi në tryeza zyrtare apo si çështje protokollare. Ajo u gatua në vende si kjo teqe, nga breza klerikësh e besimtarësh që ditën të ishin të përkushtuar në besimin e tyre dhe, njëkohësisht, të shihnin tek tjetri bashkëkombësin, fqinjin, vëllain e një gjaku e të një gjuhe”, u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se mesazhi i bektashizmit për urtësi, maturi e ndërtim urash mes njerëzve është sot po aq i gjallë dhe i nevojshëm sa dikur.

“Drita e besimit dhe kujtesa e një populli nuk mund të shlyhen”, u shpreh ai, duke kujtuar dhe përpjekjet e klerikëve që i mbijetuan diktaturës në Shqipëri dhe rizgjuan besimin.

Begaj theksoi rëndësinë për mbrojtjen dhe përcjelljen e kujtesës kombëtare dhe identitetit kombëtar.

Në fund të fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se “pelegrinazhi në Frashër është një udhëtim në rrënjët e identitetit tonë, atje ku besimi u bë dije, dija u bë vetëdije dhe vetëdija u bë atdhetari”.

Presidenti e mbylli vizitën e tij në Frashër duke vizituar shtëpinë e vëllezërve Frashëri.