TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ekonomia digjitale do të funksionojë me rregulla më të qarta loje. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik draftin për shkëmbimin automatik të informacionit nga operatorët e platformave digjitale, nismë që vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Kështu, operatorët e platformave digjitale përfshirë ato të qiradhënies së pronave si Booking e AirBnb, platformat e transportit, shërbimeve online si dhe tregjeve të tjera online duhet të mbledhin, verifikojnë dhe të raportojnë të dhëna për shitësit e ofruesit e këtyre shërbimeve.
Mungesa e informacionit të saktë për këto aktivitete ka krijuar hapësira lidhur me mos deklarimin real të të ardhurave që sigurohen nga këto shërbime duke shmangur rrjedhimisht detyrimet tatimore. Në kushte të tilla, zbatimi i këtij drafti synon të rrisë transparencën e ekonomisë digjitale, duke ndikuar në zgjerimin e të ardhurave tatimore dhe duke luftuar ekonominë informale.
Operatorët e platformat digjitale do të kenë detyrimin që të mbledhin dhe raportojnë çdo vit pranë Tatimeve të dhënat për të ardhurat që realizojnë shitësit e këtyre shërbimeve digjitale. Për individët shqiptarë që kryejnë shitje përmes këtyre platformave digjitale me rezidencë jashtë Shqipërisë, Tatimet do të shkëmbejnë informacione për të ardhurat që gjenerojnë përmes sistemeve elektronike me homologët e vendeve të Bashkimit Europian.
Drafti parashikon edhe gjoba nga 100 mijë deri në 1 milion lekë për mungesë të raportimit vjetor nga operatorët e platformave, ndërsa për pasaktësi në të dhëna apo mos regjistrim i operatorëve pranë tatimeve gjobat variojnë nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë.