TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prezantoi sot në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit”.
Karakaçi bëri të ditur se marrëveshja me BERZH përmbyll paketën financiare të një prej projekteve më të mëdha hekurudhore të realizuara në vend gjatë dekadave të fundit, duke mundësuar elektrifikimin e plotë të linjës Tiranë-Durrës dhe stacionit të Rinasit.
“Projektligji që paraqesim sot ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për elektrifikimin e linjës Tiranë-Durrës dhe stacionin e Rinasit, dhe që përmbyllë në fakt, paketën financiare të projektit më të madh hekurudhor të realizuar në vendin tonë në dekadat e fundit. Me këtë financim, bëhet i mundur elektrifikimi i plotë i linjës, ndërtimi i infrastrukturës energjetike dhe certifikimi sipas standardeve të Bashkimit Europian, duke sjellë për herë të parë një shërbim modern hekurudhor me trena elektrikë. Dhe, në fakt, edhe për t’ju përgjigjur edhe më gjatë pyetjes, unë mendoja se ishte e qartë në relacion, tërësisht elektrik dhe vetëm elektrik.
Ky është një investim që është shumë i rëndësishëm për hekurudhën shqiptare. Siç e thashë në përgjigjen e pyetjes, punimet civile tashmë kanë përfunduar, sistemet e sinjalizimit janë drejt finalizimit, stacionet e reja po ndërtohen dhe me miratimin e kësaj marrëveshje nis edhe faza e elektrifikimit. Objektivi ynë është që deri në fundin e vitit 2027, qytetarët shqiptarë të kenë në dispozicion një linjë hekurudhore moderne, të sigurt dhe të denjë për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por ky projekt nuk është vetëm një investim i veçuar, pasi doja të theksoja edhe disa projekte të tjera në hekurudhë, pasi është pjesë e një programi të gjerë për rilindjen e transportit hekurudhor shqiptar, një sektor që për shumë vite mbeti jashtë vëmendjes së investimeve.
Paralelisht me linjën Tiranë-Durrës dhe Aeroportin “Nënë Tereza”, po ecin projektet për zgjatimin e hekurudhës drejt stacionit qendror të Tiranës, ndërtimin e sistemit modern të mirëmbajtjes së trenave (depo), si dhe përgatitjen e kontratës së shërbimit publik që do të garantojë një shërbim cilësor dhe të qëndrueshëm për qytetarët. Njëkohësisht kanë avancuar procedurat për rikonstruksionin e linjës, Vorë-Shkodër-Hani i Hotit, një segment me rëndësi strategjike për lidhjen e Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin europian të transportit. Dhe për këtë linjë, Vorë-Shkodër-Hani i Hotit, tashmë jemi në procedurë konkurruese, përsëri sipas procedurave të financuesit ndërkombëtar dhe pritet finalizimi i procedurës shumë shpejt. Në proces janë edhe procedurat për rikonstruksionin e segmentit Durrës-Rrogozhinë, ndërsa po hartohet projekti inxhinierik për vazhdimin e linjës nga Rrogozhina deri në Pogradec.
Ndërkohë, projekti strategjik më i madh në fakt, është Durrës-Prishtinë, që është një nga prioritetet tona afatgjata, për të cilin po punohet me intensitet për sigurimin e financimit dhe krijimin e kushteve për zbatimin e tij.
Këto investime tregojnë qartë se Shqipëria nuk po ndërton vetëm një linjë hekurudhore, por po ndërton dhe po përpiqet të ndërtojë një rrjet modern kombëtar, të integruar me korridoret europiane të transportit dhe në përputhje me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky është një vizion afatgjatë që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.
Këto investime janë dëshmi e një qeverie që nuk po ndërton vetëm për ditën e sotme. Ato janë investime që afrojnë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit, forcojnë Korridorin VIII dhe krijojnë kushte për një ekonomi më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më miqësore me mjedisin. Ky projektligj nuk është thjesht një marrëveshje financiare, është një investim për të ardhmen e vendit, në zhvillimin ekonomik dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.Ndaj ju ftoj ta mbështesni me votë.”u shpreh ai.