AKTUALITET, 16 July 2026, 13:29

Shkodër/ 18-vjeçari plagos me thikë 32-vjeçarin! Vëllai i të lënduarit niset ta vrasë, përfundon në pranga! Autori në kërkim

Zbardhen identitetet e personave të përfshirë në ngjarjen e ndodhur pak më parë në një poliklinikë në Shkodër.

I plagosuri është identifikuar si V.Kepëca, 32 vjeç, ndërsa autori i dyshuar i sulmit është A.Fregjaj, 18 vjeç. Në ngjarje është përfshirë edhe vëllai i të plagosurit, A.Kepëca, 41 vjeç.

Sipas Policisë, rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, A.Fregjaj ka plagosur me thikë V.Kepëcën. Ky i fundit u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, uniformat blu kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit,

A.Kepëca, pasi kishte mësuar për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë me qëllim për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.

 Policia ndërhyri në kohë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të A.Këpëcës. Sipas autoriteteve, gjatë ndërhyrjes ai tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.

 Ndërkohë, Policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, A.Fregjaj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.