TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Familja e Elizabeth Jane Ross, e njohur si Lisa, 38-vjeçares britanike trupi i së cilës u gjet në një valixhe në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit në Athinë, ka reaguar publikisht pas ngjarjes tragjike. Në një deklaratë për mediat, familjarët e përshkruan Lisën si një person të përkushtuar ndaj ndihmës për njerëzit në nevojë, me vlera të forta morale dhe një shpirt të jashtëzakonshëm vetëmohimi.
“Lisa do të mbahet mend përgjithmonë si një person i sjellshëm, i ndershëm dhe vetëmohues. Integriteti i saj ishte i pakompromis dhe ajo ia kushtoi jetën e saj ndihmës ndaj atyre që kishin nevojë”, thuhet në deklaratën e familjes, sipas rrjetit skocez STV News.
Të afërmit e 38-vjeçares shprehën dhimbjen e thellë pas humbjes së saj dhe kërkuan respekt për privatësinë e tyre gjatë periudhës së zisë.
Ndërkohë, hetimet për vdekjen e saj vijojnë, ndërsa për ngjarjen është lënë në paraburgim një 26-vjeçar afgan, i akuzuar për vrasje me dashje, grabitje dhe shkelje të ligjeve për armët.
I dyshuari, Sharif Ahmadzai, ka zgjedhur të heshtë gjatë procedurave, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se dosja hetimore ende nuk është e plotë dhe se pritet të shqyrtohen prova të tjera.
26-vjeçari mohon akuzën e vrasjes, duke pretenduar se e kishte gjetur Elizabeth Ross të pajetë në banjën e një apartamenti në zonën e Exarchias dhe se, nga paniku, kishte vendosur të zhvendoste trupin e saj.
Rasti ka shkaktuar tronditje në Greqi dhe Britani, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së vullnetares 38-vjeçare.