BOTA, 6 August 2026, 17:04

Ish-ambasadorja e Ukrainës në SHBA nën akuza për korrupsion, gjykata i cakton garanci prej 130 mijë dollarësh

Ish-ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olga Stefanyshyna, është vënë nën hetim për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm, duke u bërë një tjetër zyrtare e lartë pranë administratës së presidentit Volodymyr Zelensky që përballet me akuza të tilla.

Stefanyshyna u shkarkua nga detyra më 3 gusht nga presidenti ukrainas, ndërsa një ditë më vonë një gjykatë vendosi lirimin e saj me kusht kundrejt një garancie prej 6 milionë hryvnia (rreth 130 mijë dollarë). Sipas Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU), ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Drejtësisë akuzohet për pasurim të paligjshëm në vlerën e 13.9 milionë hryvniave (rreth 270 mijë euro).

Hetuesit pretendojnë se Stefanyshyna nuk ka deklaruar dy apartamente luksoze me vlerë rreth 11 milionë hryvnia, të cilat rezultonin të regjistruara në emër të një miku të saj.

Po ashtu, prokuroria thotë se ajo nuk ka deklaruar shpenzime të konsiderueshme për rikonstruksionin e banesave, trajtimin mjekësor të nënës, bileta avioni dhe qiranë e një apartamenti tjetër. Sipas NABU-së, Stefanyshyna ka përdorur pasuri të regjistruara në emër të personave të afërt, përfshirë një apartament, një vend parkimi, disa ambiente tregtare në një kompleks luksoz në Kiev, si dhe një automjet Mercedes-Benz GLC 220d.

 

Hetimi zbulon gjithashtu se ajo kishte negociuar blerjen e një vile pranë Kievit me vlerë rreth 550 mijë dollarë, por ishte tërhequr nga marrëveshja pak para emërimit si ambasadore në SHBA. Sipas prokurorisë, shpenzimet e saj tejkalonin ndjeshëm të ardhurat zyrtare. Nga fillimi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2025, ajo deklaroi të ardhura prej rreth 3.7 milionë hryvnia, ndërsa vetëm nga llogaritë e saj bankare u shpenzuan mbi 4.2 milionë hryvnia. Hetuesit pretendojnë gjithashtu se Stefanyshyna ka ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kreut të Agjencisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit (NACP) në vitin 2024.

Sipas prokurorisë, ajo u kishte kërkuar anëtarëve të komisionit të mbështesnin kandidaturën e Viktor Pavlyuchik, i cili më pas u emërua në krye të institucionit. Në një reagim në Facebook, Stefanyshyna mohoi akuzat dhe deklaroi se procedurat ligjore nuk përbëjnë provë të fajësisë.

“Çdo veprim procedural është pjesë e punës normale të organeve ligjzbatuese dhe nuk nënkupton se jam fajtore. Do ta mbroj me qetësi dhe në rrugë ligjore qëndrimin tim. Barra e provës u takon atyre që bëjnë akuzat”, shkroi ajo.

Hetime edhe për një tjetër çështje
Përpara ngritjes së këtyre akuzave, Stefanyshyna ishte nën hetim edhe për një çështje tjetër që lidhej me Agjencinë për Rimëkëmbjen dhe Menaxhimin e Aseteve (ARMA).

Mediat ukrainase raportuan se kompani të lidhura me ish-bashkëshortin e saj kishin përfituar kontrata për administrimin e aseteve të sekuestruara. Spekulimet për largimin e saj nga detyra kishin nisur prej javësh, ndërsa vetë Stefanyshyna e kishte justifikuar dorëheqjen me “arsye personale”. Analistët politikë e kanë lidhur largimin e saj me riorganizimin e qeverisë ukrainase dhe skandalet e fundit të korrupsionit.