SPORT, 3 Shkurt 2020, 15:11

Ecuria e 5 ligave kryesore, Bajerni dhe “Zonja” tashmë nuk janë vetëm dhe në Angli nuk ka garë


Kampionatet kryesore të Evropës po vijnë në një fazë mjaft të rëndësishme për të përcaktuar fituesit e tyre. UEFA ka publikuar një tabelë me pikavarazhet e vendeve të para të pesë kampionateve kryesore të kontinentit, ku tregon se sa larg janë ndjekësit dhe sa konkurrencë ka në luftën për suksesin final.

Ajo që bie në sy është lufta për titullin e Premier Ligës, që ndryshe nga vitet e tjera, trofeu e ka marrë rrugën për në “Merseyside” dhe do të vishet i kuq në fund të sezonit. Liverpuli është plot 22 pikë nga Mançester Siti dhe e ka vrarë garën që tani. Të njëjtën gjë ka bërë edhe PSG në Francë, megjithëse jo në përmasa kaq të mëdha. Parizienët e kanë treguar prej kohësh se janë një ekip, që fitojnë duke u argëtuar në Francë dhe janë plot 12 pikë nga Marseja e vendit të dytë.

Surpriza e këtij sezoni është Bundesliga. Në Gjermani, Bajerni nuk është më ekipi që “shtyp” çdo kundërshtar. Lejpcig është aty bashkë me Dortmundin dhe Borusia Mynçengladbah. Duhet të themi se Dortmundi është forcuar shumë me ardhjen e Haland, që është një makineri golash. Këtë vit nuk pritet ta shohim Bajernin të ngrejë trofeun që në fillim të prillit. Për herë të parë pas disa vitesh Bundesliga ofron garë deri në fund.

Edhe në Itali kemi një thyerje të hegjemonise bardhezi. Juventusi nuk ka arritur të shkëputet, megjithëse është në vendin e parë. Interi është kthyer të bëjë konkurrencë dhe Lacio është ekip i madh këtë vit. Duhet të themi se kryeqytetasit kanë mundësinë të kalojnë zikaltërit në renditje dhe t’i afrohen më Juventusit sepse kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.

Në Spanjë vazhdon e njëjta muzikë, me Barçën e Realin në krye të renditjes. E vetmja e re është Atletiko, me djemtë e Simeones në formë të dobët, dukë lënë kështu vetëm dy gjigantët e La Ligas të garojnë për kreun.