BALLKAN, 18 Tetor 2017, 11:21

Doganat greke lajmërojnë grevë 24 orëshe

Doganat greke lajmërojnë grevë 24 orëshe

Doganat greke nuk do të funksionojnë për 24 orë, për shkak se punonjësit do të hyjnë në grevë kundër reformës së pensioneve dhe kushteve të punës. Greva do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit të të enjtes dhe do të përfundojë mëngjesin e të premtes. Një nga kërkesat e doganiereve është edhe rritja e pagave.

Që prej fillimit të krizës greke, pagat dhe pensionet e këtij sektori janë ulur deri në 50%, ndaj sindikata e sheh grevën si e vetmja rrugë për plotësimin e kërkesave. Deri mëngjesin e së premtes, asnjë pikë doganore nuk do të lejojë kalimin e mjeteve dhe mallrave.

Meqenëse në grevë janë vetëm doganierët, e jo policia, udhëtarët që nuk do të kenë me vete çanta dhe bagazhe do të jenë të lirë të lëvizin në kufi. Ndërsa asnjë anije mallrash, tren ose kamion nuk do të përpunohet në portet dhe pikat hyrëse e dalëse të vendit. Lëvizja pritet të normalizohet paraditen e së premtes.