TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vizita e Madonna në Greqi dhe festa e saj e 68-vjetorit në Korfuz kanë kaluar nga vëmendja e mediave rozë në një debat politik në vend.
Shkak është bërë raportimi se banorëve të fshatit Kouramades në Korfuz u ishte kërkuar të mbanin të mbyllura dritaret e shtëpive gjatë mbërritjes së këngëtares amerikane, me qëllim ruajtjen e privatësisë së saj. Sipas mediave greke, Madonna mbërriti në zonë me automjete të zeza dhe eskortë, ndërsa dy rrugë u mbyllën përkohësisht.
Raportimet shkaktuan reagimin e deputetes së SYRIZA-s, Elena Akrita, e cila ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u trajtuan banorët lokalë.
“Nëse kjo është e vërtetë, çështja nuk është nëse Madonna e kërkoi. Çështja është nëse banorët iu bindën”, shkroi Akrita në rrjetet sociale.
Më tej, deputetja përdori një gjuhë të ashpër, duke deklaruar se Greqia nuk është “një plantacion i Jugut” ku qytetarët duhet të përkulen për të mos prishur festën e një personazhi të famshëm.
Georgiadis: Madonna i dha Greqisë reklamë falas
Deklarata solli reagimin e menjëhershëm të ministrit grek të Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.
Ai e kritikoi Akritën për qëndrimin e saj, duke argumentuar se vizita e një prej yjeve më të njohura të botës përbën një mundësi të rëndësishme promovimi për Greqinë.
Sipas Georgiadis, fotot dhe videot që Madonna ka publikuar nga Korfuzit u kanë dhënë destinacioneve greke “reklamë falas me vlerë miliona euro”.
Ministri theksoi se ekspozimi ndërkombëtar i krijuar nga personazhe të tilla mund të ndikojë pozitivisht në turizëm dhe në mijëra biznese e punonjës që varen nga ky sektor.
Përplasja mes dy politikanëve vazhdoi me replika të tjera, duke e kthyer vizitën e këngëtares në një debat mbi privilegjet e të famshmëve, të drejtat e banorëve dhe kufirin mes promovimit turistik dhe respektimit të jetës private të komuniteteve lokale.
Festa e 68-vjetorit në Korfuz
Madonna festoi 68-vjetorin më 16 gusht në Kouramades të Korfuzit, së bashku me partnerin e saj Akeem Morris, fëmijët dhe miqtë.
Këngëtarja zgjodhi një ambient tradicional grek, ku festa u shoqërua me muzikë vendase, ushqime tradicionale dhe thyerje pjatash.
Më pas, Madonna publikoi foto dhe video nga qëndrimi i saj në Greqi, duke i dhënë Korfuzit një ekspozim të madh përpara miliona ndjekësve të saj në mbarë botën.
Këtë verë, Greqia ka tërhequr edhe një numër të madh personazhesh të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Justin dhe Hailey Bieber, Sofia Vergara, Matthew McConaughey, Nicole Kidman, Katy Perry, Kate Hudson, Goldie Hawn, Kurt Russell, Rita Ora, Michael Jordan, Kevin Hart dhe Ludacris.