SPORT, 9 Nëntor 2019, 22:46

Dikur bënte lëmsh Francën, ish-mesfushori i Milan dhe PSG kandidon për Bashkinë në Paris

Dikur bënte lëmsh Francën, ish-mesfushori i Milan dhe PSG

Një emër i njohur i futbollit francez i bashkohet politikës dhe kërkon që të marrë drejtimin në Bashkinë e Parisit. Vikash Doraso, ish-mesfushori i cili spikati në fillimin e viteve 2000, do të kandidojë për ekstremin e majtë në zgjedhjet e ardhshme që zhvillohen në Francë, duke dashur të bëhet pjesë e politikës si kryetar bashkie i Parisit.

Doraso ka qenë gjithmonë një figurë kontroverse. Futbollisti shkëlqeu me Lionin në Francë dhe nga aty siguroi kalimin te Milani. Por me kuqezinjtë bëri shumë pak dhe pas një sezoni u transferua përsëri në Francë, ku veshi fanellën e PSG-së. Megjithatë, një intervistë e tij ku kritikonte trajnerin e parisienëve bëri që klubi ta shkarkonte në shtatorin e vitit 2006, duke u bërë lojtari i parë që shkarkohej nga një klub francez që nga viti 1973.

Më përpara, Doraso kishte bërë bujë edhe me fanellën e Francës. Pjesëmarrës në Botërorin 2006, ai kishte filmuar thuajse fshehurazi shokët e tij gjatë aktivitetit dhe më pas pamjet e mbledhura i ktheu në një dokumentar të publikuar pa lejen e Federatës Franceze dhe kolegëve të tij. Ai u tërhoq pas atij aktiviteti nga përfaqësuesja e Francës, duke deklaruar se nuk i interesonte të ishte pjesë e një ekipi të tillë.