AKTUALITET, 26 August 2026, 13:25

'Denonco'/ Luftë evazionit fiskal, Tatimet prezantojnë aplikacionin e ri! Shkeljet mund të raportohen në mënyrë anonime

Administrata Tatimore ka prezantuar aplikacionin e ri “Denonco Evazionin”, përmes të cilit qytetarët mund të raportojnë në mënyrë të shpejtë dhe anonime rastet e dyshuara të evazionit fiskal dhe shkeljeve tatimore.

Aplikacioni është i disponueshëm në Apple Store dhe Google Play dhe, sipas Administratës Tatimore, u mundëson qytetarëve të denoncojnë në mënyrë të sigurt rastet e dyshuara të informalitetit.

Ndër shkeljet që mund të denoncohen janë moslëshimmi i kuponit tatimor, mos deklarimi i punonjësve, refuzimi i pagesës me kartë, çmime të paafishuara, apo edhe korrupsion.

Një nga veçoritë kryesore të aplikacionit është mundësia për të bërë raportime anonime, duke garantuar konfidencialitetin e qytetarëve që zgjedhin të denoncojnë shkeljet e dyshuara.

Sipas Administratës Tatimore, aplikacioni synon të forcojë bashkëpunimin me qytetarët në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, si edhe të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe respektimit të detyrimeve tatimore.