TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Paraditen e sotme, në ambientet e Teatrit “Bylis” në Fier, u zhvilluan homazhet në nder të aktorit të mirënjohur Todi Llupi, që u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 78-vjeçare.
Në ceremoninë e lamtumirës të pranishëm ishin familjarë, miq, artistë të njohur, si edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror.
Mes emocionesh dhe lotësh, aktorët Luftar Paja, Pëllumb Kulla dhe Arqile Lipe e cilësuan ndarjen nga jeta të Todi Llupit si një humbje të madhe për artin shqiptar dhe veçanërisht për teatrin e Fierit.
Todi Llupi u bë pjesë e Estradës Profesioniste të Fierit në vitin 1971, duke u kthyer shpejt në një nga aktorët më të dashur të saj.
Ndër breza do të kujtohet për interpretimin e rolit të Malos, në parodinë "Do martojmë Malon", një nga veprat më të njohura te teatrit.
Ai interpretoi në disa filma artistikë, duke dëshmuar se ishte një aktor me diapazon të gjerë.
Në filmin "Amnistia" të regjisorit Bujar Alimani, ai solli një nga interpretimet më të fuqishme të karrierës së tij, në rolin e Remziut, një personazh dramatik ku tregoi një tjetër dimension të talentit të tij.
Vitet e fundit Todi Llupi luajti në komedinë satirike "Shshsh... ule zërin", me tekst të Pëllumb Kullës dhe regji të Leka Bungos, duke dëshmuar se pasioni për teatrin nuk e la asnjëherë.
Në vitin 1989 u nderua me titullin "Artist i Merituar", në vlerësim të kontributit të tij të veçantë në artin skenik.
