AKTUALITET, 15 July 2026, 13:01

Kërcënime?! Siguria fizike e personelit të SPAK, Braho: Kemi kërkuar masa shtesë sigurie për disa prokurorë

Deputetja Evis Kushi i ka drejtuar kreut të SPAK, Klodian Braho, pyetje lidhur me sigurinë fizike të personelit të Prokurorisë së Posaçme.

Braho u përgjigj se ka pasur raste kur është kërkuar vendosja e masave shtesë të sigurisë për disa prokurorë, por nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të natyrës së çështjes.

Kushi: Siguria fizike e personelit është një shqetësim që është ngritur edhe nga vetë SPAK-u dhe është përfshirë në raportin e BE-së për sundimin e ligjit, ku citohen dy shkresa të dërguara nga ju ndaj Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. A janë përmbushur kërkesat tuaja nga institucionet përgjegjëse? A janë adresuar shqetësimet dhe kërkesat tuaja për sigurinë fizike të personelit? A keni një plan të përhershëm sigurie për stafin? Sa kërkesa keni drejtuar për masa shtesë sigurie dhe sa prej tyre janë përmbushur?

Braho: Ju i referoheni një rasti që nuk ka të bëjë me sigurinë personale të personelit, por me perimetrin e jashtëm të institucionit, që është detyrë e Policisë së Shtetit. Prokurorët mbrohen nga Garda dhe nuk kemi pasur asnjë problematikë. Ata kanë qenë një institucion mbështetës në këtë drejtim. Ka pasur raste kur kemi kërkuar masa shtesë mbrojtjeje për disa prokurorë. Detaje nuk mund të them, por ajo që mund të them është se kërkesat tona janë mbështetur.

Kushi: Në 2025 janë hartuar disa strategji përfshirë edhe atë për uljen e çështjeve të prapambetura. Kemi vënë re që strategjitë maten ndonjëherë me numrin e aktiviteteve të zhvilluar jo me rezultate të prekshme. A kanë këto strategji indikatorë të verifikueshëm dhe institucione përgjegjëse?

Braho: SPAK ka një kornizë të konsoliduar strategjike. Ato nuk janë dokumente që mbeten në letër sepse produkti i tyre është lehtësisht i verifikueshëm. Strategjia për uljen e numrit të dosjeve të prapambetura, janë parashikuar qartë, strategjia, veprimet, komisioni që e kontrollon, të dhënat e strategjisë raportohen direkt në Komisionin Europian. Në 6 muaj ngarkesa e çështjeve ka rënë.