BOTA, 8 Shtator 2023, 20:13

“Nuk e përballojmë dot”, Presidenti i Egjiptit thirrje qytetarëve: Mos bëni shumë fëmijë

“Nuk e përballojmë dot”, Presidenti i Egjiptit thirrje

Një apel i pazakontë është bërë nga presidenti Abdel Fattah al-Sisi, i cili u ka kërkuar egjiptianëve që të kenë shumë më pak fëmijë, duke argumentuar se niveli i tanishëm i lindjeve do krijojë një ‘katastrofë’ për vendin e Afrikës Veriore.

“Ne kemi nevojë për 400,000 lindje në vit,” tha al-Sisi në Kongresin Global për Popullsinë, Shëndetin dhe Zhvillimin (PHDC), i cili u hap në Kajro të martën.

“Unë nuk jam dakord me idenë tuaj se të kesh fëmijë është një çështje e lirisë së plotë,” tha presidenti, duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë dhe Popullsisë Khaled Abdel Ghaffar, siç citohet nga AFP.

“Duke lënë në lirinë e tyre njerëzit që potencialisht nuk e dinë shkallën e sfidës? Në fund, është e gjithë shoqëria dhe shteti egjiptian ata që do e paguajnë çmimin”, tha al-Sisi.

“Ne duhet ta rregullojmë këtë liri, përndryshe ajo do krijojë një katastrofë.”

Ai përmendi shembullin e Kinës, e cila ‘pati sukses në kontrollin e popullsisë’ duke imponuar një politikë të ashpër për një fëmijë në vitet 1970. Pekini e braktisi politikën në vitin 2015 dhe që atëherë ka nxitur rritjen e popullsisë.

Mbledhja, e cila filloi të martën dhe është planifikuar të zgjasë deri më 8 shtator, sponsorizohet nga agjenci të shumta të OKB-së, USAID dhe disa kompani të mëdha farmaceutike.

Egjipti është deri tani kombi arab më i populluar, me rreth 113 milionë banorë. Ai regjistroi pothuajse 2.2 milionë lindje në vitin 2022. Al-Sisi ka vënë në dukje presionet ekonomike që rritja e popullsisë i ka vendosur vendit, i cili është bërë i varur nga importimi i ushqimeve nga jashtë.