BOTA, 21 Shtator 2022, 16:10

Zelensky: Bota nuk do ta lejojë Putinin të përdorë armë bërthamore

Zelensky: Bota nuk do ta lejojë Putinin të përdorë armë

Presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti sot fjalimin e paralajmëruar që nga dita e djeshme. Ai bëri thirrje që ushtrisë ruse t’i shtohen më shumë rezervistë.

Putin tha se rezervistët ushtarakë do të dërgohen në Ukrainë si pjesë e një mobilizimi të pjesshëm të forcave ruse.

Ndër të tjera Putin tha sot se Rusia do të përdorë çdo lloj mjeti për luftën në Ukrainë, duke nënkuptuar këtu edhe përdorimin e armëve bërthamore.

Në lidhje me deklaratën e fundit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se është i bindur se bota nuk do ta lejojë presidentin rus të përdorë armë bërthamore.

“Unë nuk besoj se ai (Putini) do t’i përdorë këto armë. Unë nuk mendoj se bota do ta lejojë atë të përdorë këto armë,” tha presidenti ukrainas për gazetën gjermane Bild.

Ndërkohë kancelari gjerman, Olaf Scholz ka dënuar urdhrin e presidentit rus, Vladimir Putin për të mobilizuar pjesërisht 300 mijë rezervistë për të mbështetur luftën e Rusisë në Ukrainë.

Duke folur para gazetarëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Scholz tha se vendimi i fundit është “një akt dëshpërimi”. Scholz tha gjithashtu se Gjermania nuk do të pranojë “referendumet e rreme” të cilat janë planifikuar më vonë këtë javë në pjesë të Ukrainës të pushtuara aktualisht nga Rusia.