TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka bërë të ditur sot se Rusia do të fillojë menjëherë me mobilizimin e 300 mijë rezervistëve.
“Rezervat tona në personel janë të mëdha dhe shkon në 25 milionë njerëz, e ky mobilizim paraqet një për qind të potencialit”, tha ministri rus – duke tentuar që me këto deklarata t’i frikësojë ukrainasit dhe botën perëndimore, transmeton Telegrafi.
Sipas të parit të ministrisë së Mbrojtjes, do të mobilizohen persona me përvojë ushtarake dhe para se të nisen në fushëbetejë, do t’i nënshtrohen një sërë stërvitjesh.
“Nuk po luftojmë kundër Ukrainës, por kundër tërë Perëndimit”, shtoi Shoigu që konsiderohet si njeri i besuar i Putinit, dhe vazhdimisht tenton të mbulojë dështimet e ushtrisë ruse në Ukrainë.
Madje deri më sot ka refuzuar të zbulojë shifrat e humbjeve, si në personel ushtarak ashtu dhe në makinerinë luftarak gjatë luftimeve të ashpra në Ukrainë.
E Vladimir Putin gjatë adresimit të tij – tha se ka urdhëruar mobilizimin e pjesshëm dhe ka pranuar haptazi se mbështet referendumet në rajonet që kontrollohen nga separatistët pro-rusë në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas thonë se mobilizimi rus në Ukrainë ishte një hap i parashikuar, që dëshmon se do të jetë një lëvizje shumë e gabuar.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se kjo lëvizje tregon se lufta nuk po shkon sipas planit të Moskës.
Ai shtoi se Vladimir Putin qartazi po tentojnë të bartë fajin diku tjetër për fillimin e luftës në Ukrainë.
Presidenti rus, gjatë adresimit të tij të parë nga fillimi i luftës në Ukrainë, urdhëroi mbrëmë mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve, ku numri i tyre mund të shkojë në rreth 300 mijë.
Gjithashtu akuzoi Perëndimin për “shantazh bërthamor”, duke theksuar se Rusia do ta mbrojë veten me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion nëse kërcënohet integriteti territorial i Rusisë.