BOTA, 21 Shtator 2022, 15:27

Opozita ruse bën thirrje për protesta kundër "luftës kriminale" të Putinit

Opozita ruse bën thirrje për protesta kundër "luftës

Opozita ruse bëri thirrje të mërkurën për protesta kundër presidentit Vladimir Putin, pasi ai urdhëroi mobilizimin e 300,000 rezervistëve për atë që kundërshtari i Kremlinit Alexei Navalny e cilësoi një luftë kriminale të dështuar.

Presidenti Putin urdhëroi të mërkurën mobilizimin e parë të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe mbështeti një plan për të aneksuar pjesë të Ukrainës, duke paralajmëruar perëndimin se nuk po bënte “blof” kur tha se do të ishte gati të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur Rusinë.

Zoti Navalny, udhëheqësi më i shquar i opozitës ruse, i cili aktualisht është në burg, tha se Putini po dërgonte më shumë rusë drejt vdekjes për një luftë të dështuar.

“Është e qartë se lufta kriminale po përkeqësohet, po thellohet dhe Putini po përpiqet të përfshijë sa më shumë njerëz në të”, tha zoti Navalny në një video-mesazh nga burgu, të regjistruar dhe publikuar nga avokatët e tij.

Që nga agresioni i 24 shkurtit, presidenti Putin ka goditur disidencën dhe median, me mijëra të arrestuar në protestat kundër luftës dhe një ligj të ri që parasheh dënime me 15 vjet heqje lirie për ata që shpërndajnë "lajme të rreme" për ushtrinë.

Televizioni shtetëror rus i quan kritikët tradhtarë të paguar nga perëndimi. Presidenti Putin thotë se vendi është në një betejë me perëndimin për Ukrainën, e cila, thotë ai, po përdoret nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në një përpjekje për të shkatërruar Rusinë.

Grupet ruse kundër luftës bënë thirrje për protesta në rrugë kundër urdhrit të mobilizimit.

Në ditët e para të luftës, policia shtypi protestat e natës në rrugë duke arrestuar të paktën 16,000 protestues. /VOA