TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti Joe Biden vëzhgoi zonat e goditura nga uragani Idalia në Florida fillimish nga ajri, përpara se të zbriste në terren, e bashkë me drejtuesit lokalë të qytetit Live Oak, të shihte nga afër punën që po kryhet për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara nga stuhia.
Ajo që ra në sy ishte mungesa e Guvernatorit të shtetit Ron DeSantis, një prej kandidatëve kryesorë republikanë për zgjedhjet presidenciale. Zoti DeSantis nuk pranoi t’i bashkohej Presidentit Biden, duke thënë se prania e tij, do të ishte pengesë për punën që po kryhet për të përmirësuar situatën.
I pyetur lidhur me mungesën e rivalit të tij, zoti Biden tha se nuk ishte i zhgënjyer nga një vendim i tillë, ndërkohë ai mirëpriti praninë e senatorit Rick Scott, një prej dy senatorëve republikanë të këtij shteti.
Duke folur pranë një kishe me çati të dëmtuar e një shtëpie gjysmë të shkatërruar nga një pemë, presidenti u zotua për mbështetje totale të qeverisë federale për banorët e Floridës.
“Jam këtu sot për të dhënë një mesazh të qartë për banorët e Floridës dhe gjithë juglindjes së vendit. Ia kam thënë edhe guvernatorit tuaj, se jam gati të ofroj mbështetje për çdo gjë që u nevojitet e që lidhet me stuhinë. Vendi juaj u mbështet dhe ne do të jemi me ju derisa puna të përfundojë“, tha ai.
Më herët, kryebashkiaku i Live Oak-ut, një qytet rreth 130 kilometra në lindje të kryeqytetit të shtetit, Tallahasit, falënderoi Presidentin Biden dhe Zonjën e Parë Jill Biden për vizitën.
“Na treguat se ne jemi të rëndësishëm për ju“, tha ai.
“Të gjithë mendojnë se Florida është e pasur, por ky nuk është një nga qarqet më të pasura të shtetit dhe këtu ka njerëz që po vuajnë”, tha Kryebashkiaku Frank Davis.