BOTA, 22 Maj 2022, 17:45

Biden sinjalizon një pozicionim më të fortë ushtarak ndaj kërcënimit nga Koreja e Veriut

Biden sinjalizon një pozicionim më të fortë ushtarak ndaj

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol sinjalizuan në Seul një pozicionim më të fuqishëm ushtarak ndaj kërcënimit nga Koreja e Veriut, e cila së fundmi kreu një numër provash raketore.

Ndërsa Koreja e Veriut synon të përshpejtojë zhvillimin e arsenalit të saj bërthamor, Koreja e Jugut, një aleate e ngushtë e Shteteve të Bashkuara, dëshiron të rrisë gatishmërinë ushtarake.

“Për kërcënimin gjithnjë në rritje bërthamor dhe atë të raketave balistike nga Koreja e Veriut, unë dhe Presidenti Biden ndamë shqetësimet serioze dhe ramë dakord për nevojën për t'i dhënë përparësi atyre mbi çdo çështje tjetër.”

Në një konferencë shtypi me presidentin e sapo inauguruar Yoon Suk-yeol në Seul, Presidenti Joe Biden ra dakord të diskutonte zgjerimin e stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut.

“Duhet të punojmë së bashku për të përballuar sfidat e sigurisë rajonale, duke përfshirë kërcënimin nga Koreja e Veriut, duke forcuar më tej masat frenuese dhe duke punuar drejt një çarmatimi të plotë bërthamor të Gadishullit Korean”, tha Presidenti Biden.

Stërvitjet ushtarake mes aleatëve u pakësuan gjatë pandemisë dhe për shkak të përpjekjeve të administratës së mëparshme të zotit Trump për ta angazhuar në bisedime udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. Megjithatë, Koreja e Veriut vazhdoi zhvillimin e programeve të saj të armëve dhe ka kryer 16 prova me raketa vetëm këtë vit.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Pheniani mund të kryejë prova të tjera me raketa dhe madje prova bërthamore ndërsa Presidenti Biden vazhdon vizitën në Azi.

Të dy udhëheqësit shprehën gjithashtu shqetësim për përhapjen e COVID-19 në Korenë e Veriut dhe thonë se janë në diskutime me Kinën për të gjetur mënyra për të ndihmuar Phenianin, i cili deri më tani ka refuzuar donacionet e vaksinave.

“Duke pranuar ndihmën nga jashtë, veçanërisht nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, parimi i pagabueshmërisë së udhëheqësit suprem do të dëmtohej shumë”, thotë Bong Young-shik nga Universiteti Yonsei.

Të premten, Presidentët Biden dhe Yoon vizituan fabrikën më të madhe të prodhimit të gjysmëpërçuesve në botë që shërben si model i një fabrike të çipave kompjuterikë prej 17 miliardë dollarësh që kompania Samsung po ndërton në Austin të Teksasit.

Javën e ardhshme në Tokio, Presidenti Biden pritet të njoftojë nismën Korniza Ekonomike e Indo-Paqësorit, IPEF.

“Ai dëshiron të fillojë këtë kundërofensivë ekonomike ndaj Kinës, përmes Kornizës Ekonomike të Indo-Paqësorit. Ai do të flasë për aleancat në fushën e teknologjisë, për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Mendoj se Koreja e Jugut është jetike për këtë, sepse ajo është udhëheqëse në prodhimin e shumicës së këtyre produkteve”, thotë Ramon Pacheco Pardo nga Kolegji Mbretëror i Londrës.

Korniza Ekonomike e Indo-Paqësorit është pjesa qendrore e politikës ekonomike të Shteteve të Bashkuara në rajon që nga tërheqja e administratës së ish-Presidentit Trump në vitin 2017 nga Partneriteti Trans-Paqësor, marrëveshja e tregtisë së lirë që administrata e Presidentit Obama e filloi në vitin 2016.

Është ende e paqartë nëse Seuli do t’i bashkohet Kornizës Ekonomike të Indo-Paqësorit, që është kritikuar për mungesën e dispozitave të qasjes në treg, duke e bërë atë më pak tërheqëse se marrëveshjet ekzistuese rajonale të tregtisë së lirë. /VOA