BOTA, 15 Shtator 2023, 16:12

A ka shkelur ligjin Biden për bizneset e djalit të tij? VOA: Amerikanët të ndarë në qëndrimet e tyre

A ka shkelur ligjin Biden për bizneset e djalit të tij? VOA:

Rreth gjysma e amerikanëve thonë se kanë pak ose aspak besim se Departamenti i Drejtësisë po heton Hunter Biden-in në një mënyrë të drejtë dhe të paanshme, dhe 1 në 3 janë të shqetësuar se Presidenti Biden mund të ketë shkelje në lidhje me aktivitetet e biznesit të djalit të tij, sipas gjetjeve të një anketimi të ri. Por ndasia politike është e theksuar. 66% e republikanëve, dhe vetëm 7% e demokratëve, janë shumë apo jashtëzakonisht të shqetësuar për faktin nëse Joe Biden ka bërë shkelje për bizneset e djalit të tij, thuhet në anketimin e bërë nga Qendra NORC për Studimin e Marrëdhënieve me Publikun, e agjencisë së lajmeve Associated Press.

Përgjithësisht, demokratët janë shumë më të rezervuar në fajësimin e presidentit për sa i përket aktiviteteve sipëmarrëse të djalit të tij. “Siç e shoh unë, nëse Biden-i bëri diçka të gabuar, atëherë duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Pilar DeAvila-Pinsley, demokrat 60-vjeçar nga Nju Jorku. “Por nuk ka ndonjë provë për këtë”.

Anketimi u bë pak përpara se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, të fillonte një hetim zyrtar që synon të gjejë lidhjet mes presidentit dhe aktivitetit sipërmarrës të djalit të tij, si dhe të shpërqëndrojë vëmendjen nga akuzat ligjore ndaj ish-Presidentit Donald Trump, ndërkohë që po afron përballja e të dyve në garën elektorale për në Shtëpinë e Bardhë. Një prokuror i posaçëm i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland po heton aktivitetin e biznesit të Hunter Biden-it, pasi ra marrëveshja që ishte arritur paraprakisht për pranimin e akuzave për shkelje me taksat dhe për pronësinë e një arme.

Pas gati një viti hetimesh, prokurorët federalë nuk kanë dhënë ndonjë tregues se mund të ketë lidhje Presidenti Joe Biden. Dhe deri më tani, republikanët nuk kanë zbuluar ndonjë provë domethënëse për shkelje nga Presidenti Biden, i cili bisedonte shpesh me djalin e tij gjatë kohës kur ishte nënpresident dhe mori pjesë në një darkë biznesi me bashkëpunëtorët e të birit. Shtëpia e Bardhë nga ana e saj thotë se Joe Biden nuk ishte i përfshirë në çështjet e biznesit të djalit të tij. Këto deklarata nuk ua kanë hequr shqetësimin amerikanëve, dhe ndryshimet në shpjegimet e Shtëpisë së Bardhë kanë shkaktuar shqetësim – nga këmbëngulja e mëhershme se Presidenti Biden nuk pati folur ndonjëherë me djalin e tij për aktivitetin e tij sipërmarrës jashtë vendit, tek deklaratat e tanishme se Presidenti Biden nuk ka biznes të përbashkët me djalin e tij.

Anketimi zbuloi se vetëm 19% e amerikanëve janë shumë apo jashtëzakonisht të sigurt se Departamenti i Drejtësisë po heton në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Një tjetër grup prej 30% kanë disi besim, dhe 50% thonë se nuk kanë shumë apo aspak besim. Kjo pikëpamje është në veçanti e pranishme në radhët e republikanëve: 79% thonë se kanë pak ose aspak besim drejt drejtësia e hetimit. Madje edhe demokratët shprehin nivele të ulëta besimi: 33% kanë shumë besim, 36% kanë disi besim dhe 29% kanë pak besim. Polarizimi politik reflekton ndasinë më të gjerë në Shtetet e Bashkuara, dhe vijat e qarta politike që janë shfaqur për sa i përket vlefshmërisë së zgjedhjeve për vitin 2024, si dhe procesit të parë me ngritje akuzash për shkarkimin e ish-Presidentit Trump.

Anketimi tregon se shumica e amerikanëve, 56%, thonë se kanë dëgjuar diçka rreth hetimeve për Hunter Biden-in, dhe vetëm 18% thonë se kanë dëgjuar shumë. Republikanët kanë gjasa më shumë se demokratët që të kenë dëgjuar diçka për hetimet (68% përkundër 51%) dhe gjithashtu që të kenë dëgjuar shumë (27% përkundër 13%)./ VOA