TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Arlinda Zekaj, e cila u vra nga kunati i saj, dyshohet se përpara ngjarjes tragjike ishte përballur me kërcënime dhe presion nga ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, lidhur me kujdestarinë e djalit të tyre të mitur.
Është publikuar një bisedë telefonike mes Arlindës dhe ish-bashkëshortit, gjatë së cilës të dy flasin me tone të ashpra për çështjen e kujdestarisë së fëmijës. Arlinda këmbëngul se djali duhet të qëndrojë pranë nënës së tij, ndërsa Jeton Sylaj i thotë se nuk do ta lejojë ta marrë.
Biseda mes tyre, me tone të ashpra:
Arlinda Zekaj: Me nënën e vet ka nevojë të rrijë djali, ajo është më kryesorja. Edhe rri me nënën e vet.
Jeton Sylaj: S’ka në traditën shqiptare që nëna e ka marrë djalin, veç kur nuk ka dashur babai. Kurrë nuk ke për ta marrë.
Arlinda Zekaj: Ma gjej edhe ti një nënë që nuk e ka fëmijën, që nuk e ka, as në Amerikë, as në Kosovë, as në të gjithë botën.
Jeton Sylaj: Ja unë ta gjej, ti je. Ti je që nuk e ki.
Arlinda Zekaj: Unë? Jo more, ngadalë.
Jeton Sylaj: Nuk ke për t’i pasur, besën e Zotit po ta jap dhe ti futi gishtat në sy, nuk ke për ta pasur.
Arlinda Zekaj: A je i sigurtë? A je i sigurtë?
Jeton Sylaj: Po.
Arlinda Zekaj: Në rregull vazhdo kështu.
Jeton Sylaj: Prej këtij minuti e humbe privilegjin për të folur me të, besën po ta jap.
Ndërkohë, në korrik të këtij viti, Arlinda Zekaj kishte bërë një denoncim në polici, duke pretenduar se ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij nuk po ia kthenin djalin, pasi ajo e kishte lejuar të shkonte për vizitë tek gjyshja dhe të afërmit nga ana e babait.
Sipas deklarimit të saj në polici, djali kishte ndërprerë komunikimin me të dhe nuk dëshironte të kthehej për të jetuar me të. Arlinda dyshonte se ish-bashkëshorti po ndikonte tek i mituri për të qëndruar te familjarët në Deçan dhe për të mos u kthyer pranë saj.
Në kallëzimin e bërë më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte deklaruar:
“Unë edhe pse kam shkuar tek familia e tij unë djalin nuk e kam ndaluar që të shkoj tek gjyshja dhe migjallarët e tij ka shkuar disa herë ka qëndruar atje dhe unë asnjëherë nuk e kam ndaluar. Por që nga data 20 qershor 2026 djali ka shkuar tek Gjyshja dhe migjallarët, djali më ka bllokuar në telefon dhe nuk dëshiron që të vijë të jetoj më me mua. Dhe për këtë unë jam e sigurt se Jetoni po e detyron që të qëndroj tek Gjyshja në Deçan dhe mos të vijë të jetoj me mua. Unë kërkoj nga Polica që të ma kthej djalin tim të jetoj me mua”, ka deklaruar Arlinda Zekaj në polici më 10 korrik 2026.
Denoncimi në polici dhe biseda telefonike e publikuar tashmë në media rikthejnë në vëmendje konfliktin e pretenduar mes ish-bashkëshortëve për kujdestarinë e djalit, përpara vrasjes së Arlinda Zekajt.