TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar llogaridhënie institucionale. Sot, në mbledhjen e Qeverisë, ai u dha afat Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë deri nesër, në orën 18:00, për dorëzimin e raporteve lidhur me rastin. Kurti ka folur për dyshime për lëshime institucionale.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se llogaridhënia është dashur të kërkohet më herët, pasi vrasja e Arlinda Zekajt është e teta brenda vitit.
“Këtu, tre institucione kanë përgjegjësi: Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe niveli ekzekutiv i Qeverisë së Kosovës. Në rastin aktual, ku kryeministri po pret përgjigje, ai mund të presë vetëm nga MPB-ja dhe MD-ja. Nga KGJK-ja dhe KPK-ja ai nuk duhet të presë asnjë përgjigje në raport me punën dhe përgjegjësitë që kanë”, thuhet në vlerësimin e tyre.
Sipas Naim Jakajt, problemi qëndron te drejtuesit e institucioneve, të cilët, siç thotë ai, kanë treguar neglizhencë në trajtimin e rasteve të tilla.
“Shteti ka përgjegjësi, pavarësisht raporteve të ndryshme që mund të paraqiten dhe problemeve që mund të identifikohen. Në fund të fundit, shteti është përgjegjës që një person i caktuar, në këtë rast Arlinda, tashmë është e vdekur.”
Ndërsa përgjegjësitë konkrete pritet të përcaktohen pas hetimeve të detajuara, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, e sheh kërkesën për raporte nga ministritë si një përpjekje për të fituar kohë.
“Sigurisht që kryeministri po llogarit në faktin se pas tri ditësh qytetarët do ta harrojnë çështjen. Nëse do të merren masa vetëm sa për t’ia bërë qejfin ligjit, personave përgjegjës do t’u ndryshohen vendet e punës ose do të ndëshkohen përkohësisht. Por thjesht nuk arrihet ajo për të cilën ne kemi nevojë. Kryeministri i Kosovës duhet t’u thotë qytetarëve se të gjithë ata që kanë marrë pjesë dhe kanë shkaktuar vdekjen duhet të mbajnë përgjegjësi, duke filluar nga përgjegjësia morale deri te ajo penale.”
Elezi thekson se deri më tani do të duhej të kishte dorëheqje dhe shkarkime.
“Kjo është, për mua, e frikshme: si është e mundur që, përballë vdekjes së një nëne, gjakut të derdhur të një gruaje që ka bërë maksimumin, jo vetëm për veten, por edhe për të luftuar dhunën ndaj grave, të mos kemi mëshirë dhe t’i vendosim karriget tona para sfidave të tilla?”
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse kërkesa për llogaridhënie do të pasohet me masa konkrete ndaj përgjegjësve apo do të mbetet vetëm në nivel deklaratash.