BALLKAN, 11 Mars 2023, 16:27

Zbardhet vrasja e "Escobarit" të Serbisë! Radosheviç dyshohet se u ekzekutua nga anëtarët e klanit Kavaç

Zbardhet vrasja e "Escobarit" të Serbisë! Radosheviç

Zbardhet vrasja e Ranko Radosheviç! Mediat serbe shkruajnë se policia ka vënë në pranga dy persona që akuzohen se kanë pasur rolin e ekzekutorit në ngjarje, Stefan Z. nga Libani dhe Luka V. nga Kraljeva. Ndërsa rolin e bashkëpunëtores dyshohet se e ka pasur një vajzë e mitur, e cila akuzohet se ka dhënë informacione lidhur me vendodhjen e lëvizjet e 54-vjeçarit.

Dy ekzekutorët dyshohet se janë anëtarë të klanit Kavaç. Ata u kapën në një banesë në Beograd, ku u gjetën edhe armë.

Ranko Radosheviç i njohur ndryshe si Eskobar (54 vjeç), ishte një prej kapove të bandës së Nikshiçit, një bashkëpunëtor i ngushtë i klanit "Skaljar" që drejtohej nga Jovan Vukotiç, i cili u vra në Stamboll në shtator në sy të gruas së tij shtatzënë.

Radosheviç u vra më 9 mars, teksa ishte ulur në një kafene në pikën e karburantit në Rushnje.

Dy të rinj të maskuar me kapuç dhe maska kirurgjikale, iu afruan dhe e qëlluan për vdekje. Më pas, siç tregonin edhe pamjet e kamerave të sigurisë, ata u larguan me një mjet tip “Golf” që u gjet i djegur më vonë.

Escobar shiste automjete dhe klientët e tij ishin njerëz nga bota e errët e krimit. Bëhet fjalë për makina, në dukje të zakonshme, por që Radosheviç i kthente në automjete të blinduara duke u 10-fishuar vlerën.