BALLKAN, 11 Mars 2023, 08:35

Qeveria e Kosovës: Lajçak nuk na ofroi modele të asociacioneve

Qeveria e Kosovës: Lajçak nuk na ofroi modele të asociacioneve

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk i ka ofruar palës kosovare modele të asociacioneve gjatë vizitës dyditore në vend, porse 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, ka deklaruar për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se ekzekutivi do të analizojë veçoritë, karakteristikat dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve.

“Lajçak ka ndarë me neve 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo të asociacioneve. Ne do të analizojmë veçoritë dhe karakteristika si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve”, ka thënë ai.

Sipas Kryeziut, ekzekutivit nuk i është kërkuar të zgjedhe njërin nga modelet e ofruara, derisa ka treguar më gjerësisht se për çka bëhet fjalë.

“Nga ne nuk është kërkuar të zgjedhim një nga ato 15, por disa nga ato- të cilat reflektojnë në frymë dhe shkronjë të drejtat e anëtarëve të pakicave sipas standardeve të Këshillit të Evropës — do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve që mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti. Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetutshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbënë nivel të tretë të qeverisjes”, ka thënë Kryeziu.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për përmbajtjen e Propozimit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Diskutimet janë duke vazhduar për planin e zbatimit, për çka Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 18 mars në Ohër.