BALLKAN, 10 Mars 2023, 22:01

Vuçiç akuza ndaj Kosovës dhe NATO-s: Kërkojnë që Kurti të duket si Zelensky dhe unë si Putini, duan që Serbia të poshtërohet

Vuçiç akuza ndaj Kosovës dhe NATO-s: Kërkojnë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë një komunikimi me gazetarët ka akuzuar Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare se këta të fundit kërkojnë “poshtërimin” e vendit të tij.

Sipas tij Kosova kërkon të shtyjë Serbinë në një konflikt me NATO-n dhe se kryeministri Kurti ka mbështetjen e tyre.

Vuçiç vijoi duke thënë se qëllimi i palës kosovare është të paraqesë Albin Kurtin si një “Volodymyr Zelensky”, ndërsa atë vetë si një “Vladimir Putin”.

“Shqiptarët duan që Serbinë ta shtyjnë në konflikt. Ata duan që Serbia të hyjë në konflikt me NATO-n. Ata i dinë që nuk është konflikt me ta. Duan që Serbinë ta shtyjnë në konflikt me NATO-n, Kurti të shtiret si një lloj Zelensky, që unë të jem një lloj Putini dhe kështu me radhë, dhe kjo është ajo që ata po tentojnë, kjo që po bëjnë gjatë gjithë kësaj kohe. Për fat të keq për këtë, ata padyshim kanë mbrojtjen dhe mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të komunitetit ndërkombëtar dhe kjo nuk do të ndryshojë sepse është ‘fëmija’ i tyre”.

 

“Tani kishin mundësinë që përmes të ashtuquajturës liberalizim të vizave, t’iu bëjnë presion autoriteteve shqiptare të bëjnë atë që kanë detyrimin, jo atë që dikush mundohet ta rregullojë, apo atë për të cilën dikush flet për të përmbushin e obligim vetë shumëvjeçar, obligim që e kanë qe një decenie, siç po e shihni nuk u shkon në mendje, kështu që këtë e kam ditur që nga fillimi, dhe për këtë kam thënë vetëm ngadalë duke e ditur që po shkon në atë drejtim dhe duke ditur që ata nuk duan në asnjë mënyrë që të rregullohen marrëdhëniet dhe gjërat të normalizohen në regjion sepse ata nuk duan normalizim, të gjithë ata së bashku duan poshtërimin e Serbisë”, tha Vuçiç.