BALLKAN, 8 Mars 2023, 20:10

Deputetja e opozitës qëndroi në sallën e Kuvendit të Kosovës vetëm 10 sekonda, kryetari: Hiqjani ditën e punës!

Deputetja e opozitës qëndroi në sallën e Kuvendit të
Fotomontazh: Reshitaj dhe Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka përfunduar punimet e seancës së sotme të Kuvendit në mungesë të kuorumit. Në momentin kur në rend ishin votimi i disa pikave që kanë mbetur nga seanca e 19 janarit, njëri nga deputetët lëshoj seancën duke pamundësuar kështu vazhdimin e kësaj seance.

“Një deputet e lëshoi seancën mbetëm vetëm 60 nuk kemi kuorum për zhvillimin më tutje të kësaj seance”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari gjithashtu kërkoi nga administrata e Kuvendit që deputetes Albena Reshitaj të mos i jepet mëditja për sot, pasi që e njëjta sipas Konjufcës qëndroi vetëm 10 sekonda në sallë, shkruan Telegrafi.

“I propozoj administratës që deputetes Albena Reshitaj të mos i takoj sot asnjë mëditje sepse hyri në seancë qëndroi vetëm 10 sekonda doli dhe e vendosi nënshkrimin nuk ka më kështu”, tha Konjufca.

Deputetja e AAK-së Albena Reshitaj reagoi duke thënë se ajo që ka deklaruar Konjufca ka qenë keqkuptim pasi pretendon se ka qëndruar në Kuvend për rreth 30 minuta.

“Unë kam qëndruar 30 minuta në Kuvend, por shkurt në sallë pasi që vetëm pasi kam hyrë e jam nënshkruar, e kam kuptuar se opozita kishte vendosur për të lëshuar sallën”.

Reshitaj thotë se duke mos pasur informacion sa do të vonoheshin deputetët e opozitës, ka qëndruar për rreth 30 minuta në bufe të Kuvendit.

Ajo tha se të mërkurën është e obliguar me ligjërata në Fakultetin e Mjekësisë dhe porsa ka mbërritur në 13:30 në Kuvend, e ka parë që deputetët opozitarë kanë lëshuar sallën.

Reshitaj tha se nuk punon në Kuvend për mëditje dhe se sipas saj kjo nuk ka fare rëndësi, por që nuk është ndjerë mirë kur Konjufca e ka etiketuar në atë mënyrë.

Paraprakisht para përfundimit të seancës, Konjufca propozoi që disa pika të mos hidheshin në votim pasi që opozita nuk ishte prezente.

“Meqenëse mungon opozita nuk janë kushtet objektive dhe nuk do të ishte e ndershme të zhvillohej procesi i votimit pa ta edhe pse janë kushtet për votim.

Formimi i komisionit Ad-hock për përzgjedhjen e një anëtari të bordit të RTK-së, Zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Ankesave të Mediave dhe Zgjedhja e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë

Të gjitha këto pika si Kryetar i Kuvendit propozoj të bëhen pjesë e seancës së radhës kur të vijë edhe opozita. Propozoj që të shtyhet edhe interpelanca e kryeministrit Albin Kurti meqenëse propozuesi nuk është i pranishëm në seancë”, tha Konjufca.