BALLKAN, 25 Nëntor 2021, 12:43

Ushtria turke përdor algoritëm për “të persekutuar” gulenistët

Ushtria turke përdor algoritëm për “të

Një raport i ri i publikuar nga StateWatch, një organizatë ndërkombëtare e të drejtave të njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që monitoron shtetin dhe liritë civile në Evropë, thotë se një algoritëm i përdorur për të zbuluar kundërshtarët e supozuar të qeverisë në Forcat e Armatosura Turke, TSK, është përdorur për të persekutuar mijëra njerëz.

Raporti, “Persekutimi algoritmik në goditjen e Turqisë pas grushtit të shtetit: Sistemi FETO-Meter” thotë se më shumë se 20,000 personel ushtarak janë shkarkuar që nga një përpjekje e dështuar për grusht shteti në vitin 2016 në bazë të algoritmeve.

“Raporti hedh dritë mbi (keq)përdorimin e algoritmeve dhe sistemeve të tjera të bazuara në informacione nga qeveria turke në goditjen e saj të pamëshirshme kundër terrorizmit që nga ngjarjet e korrikut 2016. Mijëra njerëz janë lënë pa punë, arrestuar dhe persekutuar duke iu referuar ‘pikëve’ që u janë caktuar nga një mjet përndjekjeje, i ashtuquajturi FETO-Meter”, tha për BIRN Ali Yildiz, një nga autorët e raportit dhe një eksperti ligjor.

Yildiz shtoi se “kjo situatë nuk është unike për Turqinë: në një botë gjithnjë e më të lidhur, ku shtetet u drejtohen më gjerë mjeteve të vëzhgimit kundër terrorizmit, mundësia për t’u bërë viktimë e persekutimit algoritmik është e lartë”.

“Raporti, pra, shërben si një thirrje zgjimi për të sjellë më shumë ndërgjegjësim për efektet shkatërruese të persekutimit dhe shtypjes algoritmike jo vetëm në Turqi, por edhe në të gjithë botën”, shtoi Yildiz.

I ashtuquajturi FETO-Meter bazohet në 97 kritere kryesore dhe 290 nën-kritere, shumë prej të cilave cenojnë privatësinë individuale.

Emri i referohet mbështetësve të supozuar të klerikut në mërgim Fethullah Gulen, të cilin qeveria e quan FETO, shkurt për Organizatën Terroriste Fetullahiste. Guleni me bazë në SHBA ka mohuar gjithmonë çdo lidhje me terrorizmin.

Pyetjet për profilizimin dhe vlerësimin e individëve përfshijnë informacione për martesat e tyre, arsimin, llogaritë bankare, të dhënat shkollore të fëmijëve të tyre, promovimet dhe referencat e tyre në ushtri. Pyetësori kërkon informacione për të afërmit e njerëzve dhe gjithashtu fqinjët.

Ai u vu në punë pas përpjekjes për grusht shteti të korrikut 2016 për të çrrënjosur ndjekësit e supozuar të Gulenit, i cili akuzohet për organizimin e grushtit të dështuar.

“Qindra mijëra njerëz janë profilizuar dhe u është caktuar një ‘rezultat’ nga algoritmi, i cili operohet nga një njësi speciale e quajtur ‘Zyra e Procedurave Gjyqësore dhe Veprimeve Administrative’, ATİİİŞ, brenda marinës turke”, tha për BIRN Emre Turkut, një tjetër autor i raportit dhe një ekspert mbi të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nga Hertie School Berlin.

Turkut tha se raporti përfshin dëshmi nga disa ish-oficerë ushtarakë të rangut të lartë, të cilët që atëherë kanë kërkuar azil në BE dhe thekson se zbatimi i algoritmit ka qenë arbitrar dhe ka mbështetur masa ndëshkuese jo vetëm kundër të dyshuarve kryesorë, por kundër kujtdo në rrethet e tyre shoqërore, duke përfshirë anëtarët e familjes, kolegët dhe fqinjët e tyre.

Megjithatë, Cihat Yayci, një ish-admiral marine dhe arkitekti i algoritmit FETO-Meter, e ka mbrojtur atë.

“Militantët e FETO-s janë shumë të suksesshëm në fshehjen e identitetit të tyre të vërtetë. FETO-Meter na dha rezultate shumë të suksesshme për identifikimin e gulenistëve”, tha Cihat Yayci në një intervistë televizive në vitin 2020.

Që nga viti 2016, 292,000 njerëz janë arrestuar dhe rreth 598,000 njerëz janë hetuar për lidhjet e tyre të dyshuara me Gulenin.

Sipas ministrisë turke të mbrojtjes dhe ministrisë së brendshme, rreth 21,000 anëtarë të forcave të armatosura, 31,000 oficerë policie, më shumë se 5,500 oficerë xhandarmërie dhe 509 roje bregdetare kanë humbur gjithashtu punën e tyre për lidhje të dyshuara me Gulenin.

Më shumë se 30,000 njerëz janë ende në burg për shkak të lidhjeve të tyre të dyshuara me klerikun dhe më shumë se 125,000 nëpunës publikë janë shkarkuar nga puna./BIRN