BALLKAN, 1 Tetor 2023, 20:01

“U stërvitën në një nga bazat ushtarake kryesore të Serbisë”, Kurti jep detaje për grupin terrorist serb (VIDEO)

“U stërvitën në një nga bazat ushtarake kryesore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërndarë pamjet e prezantuara nga ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha të trajnimeve të grupit terrorist serb katër ditë përpara aktit terrorist në Banjskë të Zveçanit. 

Kurti, me anë të një postimi në platformën ‘X’ ka thënë se stërvitjet e këtij grupi terrorist janë realizuar në dy baza ushtarake të ushtrisë serbe, shkruan Gazeta insajderi.

“Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, ~4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u realizuan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, shkroi Kurti.

Këto pamje u publikuan gjatë ditës në një konferencë për media të mbajtur nga ministri Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sveçla deklaroi se bëhej fjalë për rreth 90 terroristë që synuan të aneksonin veriun e Kosovës.

Hoxha gjatë ditës bëri të ditur se është arrestuar edhe një serb në pikën kufitare në Jarinjë, të cilit iu janë sekuestruar armë dhe municion në shtëpinë e tij.