BALLKAN, 30 Shtator 2023, 10:23

Prishtina mirëpritet shtimi i trupave të NATO-së! Analiza e Deutsche Welle: SHBA i kërkoi Serbisë të tërheqë forcat pranë kufirit me Kosovën! I konsideroi destabilizuese

Prishtina mirëpritet shtimi i trupave të NATO-së! Analiza e

Shtetet e Bashkuara të Amerkës i kanë drejtuar një thirrje Serbisë të tërheqë forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby, tha se SHBA-ja, po vëzhgon një grumbullim të madh ushtarak të pashembullt të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara.

“Ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit, prandaj i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes”, tha Kirby në një konferencë me gazetarët në Uashington. “Një nga arsyet pse doja ta përmendja shumë qartë sot dhe të bënim komente publike përveç bisedave private, është që t’i nxisim serbët përmes kanaleve diplomatike që t’i tërheqin ato trupa, sepse edhe vetëm nga shtrirja, përmasat e tyre dhe prania e tyre, gjendja është mjaft destabilizuese”, tha Kirby.

Blinken: Masa të menjëhershme për të ulur tensionet

Kirby theksoi, se po bëhet një hetim aktiv për sulmin e 24 shtatorit në veri ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë nga një grup i armatosur më arme të rënda. “Shkalla dhe shtrirja e këtij sulmi, numri i automjeteve të përfshira dhe llojet e municioneve dhe armëve lënë të kuptohet qartë për një nivel mjaft të lartë të sofistikimit dhe pajisjeve, madje edhe të trajnimit”, tha Kirby.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken reagoi të premten, duke u shprehur, se incidentet si ai të dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, paraqesin sfida të papranueshme për forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe komunitetin ndërkombëtar. Sekretari Blinken, pati një bisedë të gjatë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vrasjes së një polici të Kosovës.

Sekretari Blinken ka nënvizuar se “ata që janë përgjegjës për sulmet e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Sekretari Blinken.

Vuҫiç pranoi bisedë “jo të lehtë” me Blinken

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiç nga ana e tij, tha se ai pati një bisedë të gjatë telefonike me Sekretarin Amerikan i Shtetit Antony Blinken, bisedë që e quajti “jo të lehtë”, dhe për masa të mundshme ndaj Serbisë nëse vendi nuk sillet siҫ duhet. “Gjëja për të cilën ramë dakord është se nevojitet shtensionimi, se nevojitet një rol dukshëm më i madh i KFOR-it dhe do të dëshiroja që roli i KFOR-it të ishte ekskluziv, veçanërisht në veri të Kosovës”, tha Vuҫiç.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ashtu zhvilloi një bisedë telefonike me Këshilltarin e Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan. Sipas njoftimit nga Shtëpia e Bardhë, në bisedën me kryeministrin Kurti, zoti Sullivan përmendi “vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët në mënyrë që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”.

Më tej thuhet se “zoti Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që zoti Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”./Deutsche Welle