BALLKAN, 11 Mars 2023, 18:57

Pse u shembën aq shumë ndërtesa pas tërmetit në Turqi? Inxhinierët drejtojnë gishtin nga qeveria

Pse u shembën aq shumë ndërtesa pas tërmetit në Turqi?

Ndërsa pjesë të Turqisë juglindore kanë filluar përpjekjet për rimëkëmbje nga tërmeti i muajit të kaluar, shumë pyesin pse kaq shumë ndërtesa relativisht të reja u shembën gjatë tërmetit me magnitudë 7.8. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa inxhinierë turq e drejtojnë gishtin nga politikat e qeverisë si fajtori kryesor për këtë.

Një muaj pas tërmetit, mbeturina betoni dhe metali qëndrojnë mbi rrugë dhe trotuare në qytetet më të goditura të Turqisë juglindore. Nën rrënoja ende gjenden trupa të pajetë.

Miliona ton mbeturina po hiqen ngadalë. Por pyetjet mbi nivelin e shkatërrimit nuk po largohen.

Të mbijetuarit tregojnë se kur filluan dridhjet e tokës, katet filluan të shëmben njëra mbi tjetrën, sikur të ishin të bëra prej një materiali të butë. Disa ndërtesa mbijetuan relativisht të padëmtuara, ndërsa të tjera, pranë tyre, u shembën.

“Fakti që kishte ndërtesa që nuk u rrënuan ndonëse janë pranë atyre që u shemben nga tërmeti, tregon se projekti, zbatimi, ose fazat e kontrollit të ndërtesave të shembura nuk kanë funksionuar”, thotë Hasan Aksungur, kryetar i Dhomës së Inxhinierëve të Ndërtimit në Adana.

Kritikët e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan thonë se qeveria e tij ofroi disa herë amnisti për ndërtesat e paligjshme, duke i lejuar ndërtuesit të mos respektojnë rregullat bazë të sigurisë. Miliona ndërtesa u çertifikuan në këtë mënyrë.

“Që nga viti 1985, ka pasur amnisti të njëpasnjëshme. Pas amnistisë së fundit më 2018, ndërtesat u hipotekuan pa iu nënshtruar asnjë kontrolli, asnjë inspektimi, vetëm duke paguar tarifat përkatëse”, thotë zoti Aksungur.

Para tërmetit, qeveria po shqyrtonte dhënien e një tjetër amnistie për ndërtuesit, përpara zgjedhjeve presidenciale, që do mbahen në muajin maj.

Zoti Erdogan u mburr me këto amnisti gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, siç bëri gjatë një tubimi zgjedhor në provincën e Hatajit, tani një nga më të goditurat nga tërmeti.

“Me vendimet për amnisti, ne zgjidhëm problemet për 205 mijë qytetarë të Hatajit ”, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Qeveria turke nuk i është përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për koment.

Ministri turk i Drejtësisë ka nënvizuar se edhe partitë opozitare e kanë mbështetur amnistinë për ndërtuesit. Muajin e kaluar, Presidenti Erdogan akuzoi rivalët se po e shfrytëzojnë tërmetin për përfitime politike.

“Ne e dimë se disa po fërkojnë duart, duke pritur që shteti dhe qeveria të bien nën rrënoja bashkë me njerëzit tanë”, tha zoti Erdogan.

Presidenti turk ka thënë se zgjedhjet presidenciale të majit nuk do të shtyhen. Reagimi i strukturave të shtetit ndaj tërmetit dhe arsyeja që shkaktoi vdekjen e më shumë se 45 mijë njerëzve duket se do të jenë çështje kyçe të fushatës zgjedhore, ndërsa presidenti aktual kërkon një mandat të tretë./VOA