BALLKAN, 23 Mars 2023, 12:48

Marrëveshja me Serbinë në Ohër, Kurti: Arritëm diçka të pakthyeshme

Marrëveshja me Serbinë në Ohër, Kurti: Arritëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë-Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara. Kështu deklaroi ai gjatë raportimit të enjten në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Brenda kësaj marrëveshjeje specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

Kjo përfshin edhe themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilën u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015.

Kjo marrëveshje që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë.

“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur në mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne lidhim”, tha ai.

Tutje, Kurti ritheksoi se do të angazhohet që nuk do të ketë një pushtet ekzekutiv në mes të nivelit qendror e lokal në Kosovë, përmes këtij asociacioni.

“Çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizmi i Kushtetutës sonë, i ligjshmërisë sonë”, tha ai.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit, apo që njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Kurti e ka quajtur këtë marrëveshje “tekstin më të mirë që ka mundur të arrihet tani për tani”.

“Ia vlen mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme”, tha ai.

Kurti, megjithatë, tha se nuk pret që rruga përpara për zbatimin e kësaj marrëveshjeje do të jetë e lehtë.

“Do të ketë shumë kurthe e ndërskamca. Serbia do të bëjë gjithçka që është e mundur, përfshirë injorimin haptas të marrëveshjes, anulimin e interpretimin e riinterpretimin e asaj për të cilën tashmë kemi rënë dakord”, tha Kurti.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, parti opozitare, e kritikoi Kurtin për zmbrapsje nga qëndrimet e tij, sidomos sa i përket Asociacionit.

“Kryeministri i Kosovës me një fjali mbrëmë e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike. Po, ka Asociacion dhe ka pasur Asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka asociacion”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, me marrëveshjen në Ohër Kurti “ka rrezikuar t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës”.

Edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, e kritikoi Kurtin në lidhje me pranimin e Asociacionit në marrëveshjen e Ohrit, pa i përfillur kushtet e tij që i kishte vënë në fillim të muajit shkurt.

Një ndër kushtet që e përmendura nga Kurti ishte që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet vetëm pas njohjes reciproke.

“Ndiej keqardhje për të mashtruarit, të përdorurit, të shfrytëzuarit dhe mbi të gjitha për humbjen e kohës së Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo po ashtu opozitare, tha se me marrëveshjen e Ohrit dialogu dhe diskutimi me Bashkimin Evropian do të vazhdojë me vite.

“Për ne kjo duhet të përdoret si mundësi e forcimit të shtetit të Kosovës, por është edhe një potencial për gabime dhe lëshime”, tha Besnik Tahiri, i cili sugjeroi që në komitetin që monitoron zbatimin e marrëveshjeve të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rikujtojmë se marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri  më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.