BALLKAN, 22 Mars 2023, 13:53

Vjosa Osmani akuzon rëndë: Kurtit iu propozuan dokumente dhe versione të tmerrshme në Ohër, BE-ja po inkurajon Serbinë që të prodhojë krizë

Vjosa Osmani akuzon rëndë: Kurtit iu propozuan dokumente dhe versione
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se ka pasur takime të vazhdueshme me kryeministrin Albin Kurti, sa i përket takimit në Ohër.

Osmani tha se Kurtit i janë propozuar dokumente të tmerrshme, që sipas saj Kosova ka bërë mirë që nuk i ka pranuar.

“Me kryeministrin jemi takuar siç takohemi gjithnjë, edhe para takimit të kryeministrit në Bruksel edhe pas kthimit jemi takuar dhe kemi diskutuar në detaje para se të shkoj në Ohër.

Jemi konsultuar edhe gjatë takimeve në Ohër, dhe jemi takuar edhe pasi ka përfunduar dakordimi në Ohër ku jemi njoftuar në detaje jo vetëm për dokumentet dhe versionet e ndryshme që kanë qenë para kryeministrit dhe delegacionit të Kosovës… Më duhet të them se këto janë versione të tmerrshme të cilat Republika e Kosovës ka bërë mirë që nuk i ka pranuar pavarësisht presioneve jashtëzakonisht të padrejta që e kanë trajtuar Kosovën në mënyrë shumë të pabarabartë në raport me palën tjetër”, ka thënë Osmani.

Këto komente Osmani i bëri gjatë vizitës në Klinikën e Gjinekologjisë. Presidentja shtoi se për të janë të papranueshme iniciativat e tilla nga faktori ndërkombëtar.

“Nganjëherë për mua si presidente është vështirë të besoj që dikush nga komuniteti ndërkombëtar e merr një iniciativë të tillë që të propozoj gjëra të tilla që e vendos vetëm njërën palë në një pozitë kaq të pabarabartë”, tha Osmani.

Ajo shtoi se aneksi për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ka shumë paqartësi.

“Aneksi ka lënë shumë gjëra të paqartësuara. Është dashur të paraqes në detaje si do të zbatohen edhe pikat tjera, si do të jenë penalizimet pastaj për moszbatim ta zëmë të nenit 4 nga ana e Serbisë e shumë gjëra të tjera. BE-ja e ka toleruar refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë, që mendoj si qasje po e rrezikon procesin e dialogut dhe paqen në rajon, sepse po e inkurajon Serbinë në njëfarë mënyre që të prodhoj krizë pas krize”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

Presidentja e Kosovës ka shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë presion mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord.

“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiqi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje ‘de facto’ të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.

Presidentja shtoi se “Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, njëlloj siç ndodhi edhe në shkurt, e përsëriti të njëjtin veprim edhe në mars. Pra tregoi që premtimet që i kanë dhënë në kuadër të dialogut nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike as juridike. Dhe rrjedhimisht njoftoi edhe komunitetin ndërkombëtar se nuk do t’i zbatojë obligimet që dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi”.

“Pavarësisht asaj që u dakorduan në Ohër, teksti i marrëveshjes bazë mbetet i njëjtë dhe nuk ndryshohet. Neni 4 i asaj marrëveshje që e obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare pa përjashtim, mbetet në fuqi”, tha ajo.

“Neni 1 dhe 2 që përcaktojnë parimet e të drejtës ndërkombëtare, dhe përfshihen në kartën e kombeve të bashkuara që detyrojnë Serbinë ta njeh dhe ta respektojë integritetin territorial të Kosovës, që të dyja palët të trajtohen të barabarta, të respektohen simbolet shtetërore të njëra-tjetrës, ato mbesin në fuqi”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se në momentin që Serbia del dhe thotë se nuk do të zbatojë asnjërën nga këto, duke kërkuar pastaj edhe vulosje nga Kuvendi i Serbisë që mos të zbatojë atë për të cilën është dakorduar vetë në Ohër dhe Bruksel, e rrezikon në esencë këtë dakordim.

Osmani ka folur edhe për nenin 7 dhe nenin 10 të kësaj marrëveshje, duke thënë se në praktikë kanë një dallim.

“Unë mendoj që të dyja në praktikë kanë një dallim sepse neni 7 ka të bëjë vetëm me të drejtat e serbëve kurse neni 10 me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel deri më tani dhe zbatimin e të gjithave jo vetëm të njërës që ka të bëjë me të drejtat e serbëve që përfshin marrëveshjen e vitit 2013 sa i përket Asociacionit”, tha Osmani.

Osmani shtoi se “ky është dallimi tek neni 7 ajo që quhet vetmenaxhim, nga komuniteti ndërkombëtar është interpretuar si zbatim i obligimeve që Kosova ka marrë në vitin 2013. Kjo për mua si presidente e Republikës nënkupton respektim të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”

Presidentja shtoi se bashkimi i komunave në asociacione është e drejtë që Kosova e njeh me kushtetutën e saj, pakon e Ahtisarit dhe ligjin për vetëqeverisje lokale.

“Nuk ka diçka të re, por ajo mund të realizohet vetëm në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015. Në esencë neni 7 kur nis të zbatohet nënkupton një lloj dokumenti që do të përcaktoj jo vetëm të drejta, por mbi të gjitha detyrime që janë të përcaktuara me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese…”, u shpreh Osmani.