BALLKAN, 2 Mars 2023, 17:50

BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të zbatimit: S’është sekret që çështja e Asociacionit është më e vështira, por…

BE-ja insiston në nënshkrimin e Marrëveshjes dhe planit të

Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë.

Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes dhe interpretimeve të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.

“Ky dokument, pa pjesën e implementimit, do të jetë vetëm një deklaratë politike. Diskutimi për implementim ishte i vështirë dhe nuk kemi shkuar larg. Nuk është sekret kur them se çështja e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] është më e vështira”, tha ky zyrtar, duke shtuar se pasi të nënshkruhet, marrëveshja do të bëhet dhe ligjërisht obliguese.

BE-ja pret që palët të dërgojnë reagimet e tyre lidhur me draftin e planit të implementimit që kanë marrë nga Brukseli.

Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër, ka konfirmuar zyrtari i BE-së.

Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Marrëveshjes mes dy vendeve.

Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të pajtohen për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e saj.

Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së./REL